22:29 / E martë, 18 Prill 2017

Çmimet e naftës stagnojnë pas Pashkëve

Çmimet e naftës stagnojnë pas Pashkëve

Çmimi i naftës stagnoi të martën në tregjet ndërkombëtare, pas festës së Pashkëve, derisa raportet zyrtare të qeverisë amerikane tregojnë për rritje të prodhimit në maj.

Në tregun e Londrës çmimi i një barele naftë ka qëndruar e pandryshuar në krahasim me një ditë më parë, në 55.32 dollarë. Në tregtinë elektronike nafta dje ishte dobësuar 53 centë, në 55.36 dollarë, duke ndërprerë ngritjen treditore.

Në tregun amerikan nafta, po ashtu, ka mbetur e pandryshuar në 52,61 dollarë, derisa dje në tregun elektronik ishte në minus 53 centë, në 52,65 dollarë.

Të dhënat e qeverisë amerikane tregojnë se në muajin maj pritet të ketë rritje të prodhimit të naftës për 123 mijë barela në ditë, në gjithsej 5,19 milionë barela në ditë.

Nëse kjo del e saktë, në maj do të ketë rritje të madhe të prodhimit që prej vitit 2015.

Ngritja e prodhimit amerikan të naftës do të bëjë presion ndaj OPEC-ut, e cila vitin e kaluar ishte pajtuar që të ulet prodhimi.

OPEC pritet të takohet më 25 maj, për të shqyrtuar vazhdimin e uljes së prodhimit pas qershorit.

Lexo të tjera