22:36 / E diel, 06 Gusht 2017

Ekonomia shqiptare, sërish notë pozitive nga Moody’s dhe S&P

Ekonomia shqiptare, sërish notë pozitive nga Moody’s dhe S&P

Dy agjencitë prestigjioze të vlerësimit të riskut të kreditit të ekonomive në të gjithë botën, kanë konfirmuar vlerësimin e tyre pozitiv me parashikim të qëndrueshëm për ekonominë shqiptare, duke u bazuar ne arritjet e shënuara në drejtim të konsolidimit fiskal, trajektoren rënëse të borxhit publik, progresin e reformave strukturore dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike.

“Disiplina fiskale është ruajtur gjatë ciklit elektoral dhe Moody’s parashikon uljen e mëtejshme të deficitit ne 2017-2018, mbështetur nga mirë menaxhimi i shpenzimeve publike, përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave dhe reduktimi i pagesave të lidhura me energjinë në reflektim të reformës në sektor. Rritja ekonomike pritet të përshpejtohet, ndërsa avancimi i procesit të integrimit do të ndihmojë në përmirësimin e klimës se biznesit dhe konvergjencën e të ardhurave me rajonin” – citon raporti.

Për S&P vlerësimi B+/B, reflekton progresin e qëndrueshëm të vendit në drejtim të konsolidimit fiskal, pavarësisht tensioneve politike para zgjedhjeve, mbështetur nga rritja e qëndrueshme ekonomike dhe progresi i reformave.

Rritja e të ardhurave ka qene solide, ndërsa në kahun e shpenzimeve, vlerësohet përpjekja për mos krijimin e pagesave të prapambetura si rezultat i monitorimit te kujdesshëm.

“Zgjedhjet e qershorit, pavarësisht tensioneve para zgjedhore, treguan aftësinë e vendit për të arritur kompromisin politik. Qeveria e re e Partisë Socialiste do të garantojë vazhdimësinë e politikave dhe reformave, veçanërisht reformave strukturore, duke përforcuar përmirësimet e deritanishme në kuadrin institucional. ‎Rezultati i zgjedhjeve te 25 qershorit, do t’i mundësojë qeverisë të ecë përpara në drejtim të konsolidimit fiskal, për të cilin Shqipëria vlerësohet të ketë performancën më të mirë në grupin e vendeve të së njëjtës kategori vlerësimi.

Rritja e ekonomisë do të vazhdojë të përshpejtohet, mbështetur nga rritja e kërkesës, konsumit privat dhe investimeve. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe forcimi i institucioneve do të ndihmojnë në tërheqjen e FDI-ve në energji, turizëm, bujqësi. Konsolidimi fiskal do të vazhdojë, me borxhin publik që pritet të arrijë në 62% e GDP dhe deficiti ne 1% ne 2020. “- vlerëson S&P, shkruan Top Channel

Lexo të tjera