08:32 / E mërkurë, 30 Gusht 2017

Falen mbi 350 milionë euro borxhe, nesër afati i fundit

Falen mbi 350 milionë euro borxhe, nesër afati i fundit

Ligji për Faljen e Borxheve do të jetë në fuqi deri më 31 gusht të këtij viti. Zyrtarë të Ministrisë së Financave thonë se nuk do të ketë afat shtesë për faljen e borxheve. Sipas të dhënave zyrtare, deri më tash janë falur më shumë se 350 milionë euro borxhe, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në afatin e fundit për aplikim për faljen e borxheve publike. Më datën 1 shtator 2017 do të shfuqizohet Ligji për Faljen e Borxheve Publike.

Procesi i deritashëm i afatit shtesë që është dhënë vlerësohet se ka sjellë efekte pozitive si për bizneset e palët përfituese, ashtu edhe për buxhetin e shtetit. Institucionet që kanë falur më së shumti borxhe gjatë periudhës 2000-2008 janë Korporata Energjetike e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

“Procesi i faljes së borxheve në përgjithësi është duke ecur mirë me përjashtim të ndonjë rasti, i cili mund të cilësohet më i komplikuar dhe që kërkon më shumë sqarime për t’u zbatuar”, tha Muharrem Shahini, nga Ministria e Financave. “Duke u bazuar në raportet e institucioneve të përfshira në zbatim të Ligjit për Faljen e Borxheve, deri më tani janë afër 600 mijë raste të cilët kanë përfituar nga falja e borxheve nga institucionet e ndryshme shtetërore dhe nga ndërmarrjet publike”, shtoi ai.

Ministria e Financave u bënë thirrje të gjithë qytetarëve ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të përfituar nga falja e borxheve brenda afatit ligjor të përcaktuar sepse, sipas tyre, më nuk do të ketë afat shtesë. “U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi ligjore deri më 1 shtator të këtij viti sepse nuk do të ketë afat tjetër shtesë. Ligji për Faljen e Borxheve Publike do të jetë në fuqi deri më datë 1 shtator 2017", tha ai.

Lexo të tjera