10:03 / E martë, 03 Tetor 2017

FMN: Viti 2018 do jetë i vështirë për shqiptarët

FMN: Viti 2018 do jetë i vështirë për shqiptarët

Teksa qeveria është angazhuar për një projekt investimesh të Partneritetit Publik Privat (PPP), që mund të arrijë deri në 1 miliard euro, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën e tij tërheq vëmendjen për rreziqet domethënëse fiskale që përmbajnë këto projekte. Në deklaratën përmbyllëse të publikuar dje, pas qëndrimit dyjavor në Shqipëri, FMN kërkon që ndikimi i këtyre projekteve, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.

Aktualisht qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik. FMN e ka shprehur me parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto përfitime dhe një analizë të plotë rreziku.

Në deklaratën zyrtare FMN vlerëson se borxhi ose detyrimi i mundshëm që vjen nga investimet e financuara nga PPP-të mund të arrijë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky borxh i mundshëm nuk është marrë parasysh nga qeveria, në parashikimin e saj që borxhi publik të zbresë në 63% të PBB-së deri në vitin 2021.

Detyrimet e prapambetura

Ndonëse FMN e ka paralajmëruar vazhdimisht qeverisë që të bënte kujdes për të mos krijuar detyrime të reja të prapambetura, ato janë rritur sërish. Sipas deklaratës, deri në fund të qershorit, qeveria lokale dhe qendrore ka akumuluar detyrime të prapambetura që arrijnë në 1.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që përfshin 0.3% të PBB-së si TVSH e parimbursuar. Teksa PBB është rreth 1.5 trilionë lekë, në vlerë absolute, detyrimet e prapambetura arrijnë në rreth 16.5 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë euro.

“Për të parandaluar krijimin e detyrimeve të prapambetura, autoritetet duhet të përmirësojnë procesin e rimbursimit të TVSH-së, të fuqizojnë masat kontrolluese për angazhimet kontraktuale, sidomos në Ministrinë e Energjetikës dhe Infrastrukturës, të shtrijnë aksesin në sistemin informatik të Thesarit edhe në njësitë e qeverisjes vendore, të regjistrojnë të gjitha angazhimet e pabuxhetuara dhe të regjistrojnë faturat e papaguara”.

Rritja ekonomike

FMN pret që rritja ekonomike të ngadalësohet në 3.7% në vitin 2018, pasi investimet e mëdha të lidhura me projektet e energjisë do të përfundojnë. Megjithatë, në afatin e gjatë, rritja ekonomike do të kalojë 4%, i nxitur nga reformat drejt integrimit në BE dhe rimëkëmbjen e partnerëve tregtarë. “Risqet për këtë parashikim janë të balancuara.

Në aspektin pozitiv, rritja e besimit pas zgjidhjes së paqartësisë politike dhe efektet nga projektet e mëdha në energjetikë dhe infrastrukturë mund të çojnë në investime më të mëdha dhe në një rimëkëmbje më të fortë të kredisë. Në aspektin negativ, vijimi i kushteve të motit të thatë mund të ketë ndikim në prodhimin e energjisë elektrike dhe të paraqesë risqe pothuaj-fiskale. Një ngadalësim i ritmit të reformave dhe shkarjet fiskale mund ta ulnin besimin, të rrisnin primet e riskut dhe të rrisnin risqet e përhapjes së efekteve.

Tatime-Dogana

FMN thotë në deklaratën zyrtare se plani i deklaruar për bashkimin e tatimeve e doganave duhet të rishikohet, duke pasur parasysh rrezikun e lartë që ky proces mund të ketë në mbledhjen e të ardhurave dhe në reformën që po zbaton administrata tatimore. “Njoftimi për bashkimin e administratave tatimore dhe doganore është mirë të rikonsiderohet edhe një herë, po të kemi parasysh risqet e larta të cenimit të mbledhjes së të ardhurave dhe reformat që po bëhen në administratën tatimore. Më në përgjithësi, riorganizimi i administratës së qeverisjes qendrore është mirë të zbatohet me vëmendje të veçantë tek efekti funksional”, theksoi FMN.

Box

Taksa e pronës

FMN thekson se nevojiten masa shtesë për të mobilizuar burime për shpenzimet e rritura prioritare në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë. Efikasiteti tatimor është i ulët në krahasim me vendet fqinje,  duke pasqyruar pragje të larta tatimore dhe nivel të ulët të përmbushjes së detyrimeve nga tatimpaguesit. Mbështetja shumë e lartë në tatime të veçanta ka çuar gjithashtu në elasticitet të ulët  tatimor në raport me PBB-në. Misioni e mirëpret zbatimin e planifikuar të një tatimi mbi pronën që mbështetet në vlerën e pronës dhe përmirësimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore dhe rekomandon masa të tjera shtesë si indeksimi i akcizave sipas inflacionit për të ruajtur vlerën reale, taksën e transferimit të pronësisë si hap transitor drejt futjes tatimit të bazuar në vlerën e pronës, akcizat mjedisore dhe zgjerimin e bazës tatimore. Autoritetet nuk duhet të japin më përjashtime të reja tatimore, trajtime preferenciale apo të ulin shkallët tatimore. Struktura e TVSH-së dhe e tatimfitimit për bizneset e vogla duhet të marrë në konsideratë një regjim të thjeshtuar për ta minimizuar barrën për administratën tatimore.

Temat:
Lexo të tjera