17:58 / E enjte, 07 Shtator 2017

Gërxhaliu: Politika vazhdon ta dëmtojë ekonominë

Gërxhaliu: Politika vazhdon ta dëmtojë ekonominë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, thotë se vonesa e themelimit të institucioneve ka bërë që sektori privat të jetë në gjendje të vështirë.

Ai ka thënë se Qeveria e re duhet të merret me projektet e mëdha, siç është Trepça, projekti i termocentralit Kosova e Re dhe Brezovica

Gërxhaliu shprehet se proceset politike janë duke e dëmtuar ekonominë.

“Dominimi i agjendës politike ka bërë që të anashkalohen proceset ekonomike. Për partitë politike po dëshmohet se primare është pushteti”, tha ai.

Pasojat e ngërçit politik, përveç aspekteve tjera, kanë pasoja ekonomike, meqë nuk ka ndodhur rishikimi i buxhetit.

“Shumë Kompani private – partnere në implementimin kontratave të ndryshme publike – nuk janë paguar. Këto biznese janë të bllokuara dhe kërkojnë alternativa”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij, shumë biznese kanë hyrë në kredi për shkak të mungesës së alternativave për qasje në financa.

“Shtyllë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritje të punësimit është sektori privat”, tha Gërxhaliu, duke shtuar se Kosova ka ngecur edhe në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj.

“Vendet e rajonit kanë fushata më të forta për tërheqjen e investitorëve”, ka thënë kryetari i OEK-ut.

Sa i përket Pakos Fiskale 2, ai ka thënë se është hap pozitiv miratimi i saj por se duhet të plotësohet me udhëzime administrative dhe ligjore për t’u funksionalizuar.

Gërxhaliu në këtë intervistë ka thënë se parashikimet për rritje ekonomike në parametrat e 4 përqindëshit janë vështirë të arritshme.



Lexo të tjera