14:34 / E martë, 29 Gusht 2017

Hotelet me 5 yje në Shqipëri do të përjashtohen nga taksat për 10 vite

Hotelet me 5 yje në Shqipëri do të përjashtohen nga taksat për 10 vite

Rritja e cilësisë së shërbimeve në sektorin e turizmit do të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë së re të drejtuar nga Kryeministri Rama gjatë mandatit të dytë.

Në këtë drejtim, Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga Llogaraja bëri të ditur se për të gjitha hotelet me 5 yje do të hiqen taksat për një periudhë 10 vjeçare.

“Po bëjmë një paketë të re. Do të vendosim një incentivë. Kush merr operim me 5 yje midis 30 brandeve ndërkombëtare të mos ketë asnjë taksë për 10 vite”, deklaroi Rama.

Sipas tij, nuk ka sot një fasilitet në Shqipëri që të ketë 5 yje, përveç një subjekti në Tiranë. Kjo incentivë, theksoi ai, do të shkojë për të gjitha investimet që janë në zhvillim, por edhe për ato që duan të adoptohen. Rama la mundësi të hapur për përfshirjen në këtë incentivë edhe për hotelet me 4 yje.

Duke vijuar me paraqitjen e objektivave të qeverisë për zhvillimin e turizmit, Kryeministri po ashtu informoi se të gjitha hotelet që operojnë në vend përgjatë bregdetit do t’u duhet të vendosin impiantin e përpunimit të ujrave të zeza brenda muajit maj, në të kundërt do të ndalohet hapja e tyre.

Zhvillimi i infrastrukturës rrugore përgjatë vijës bregdetare nga jugu në veri ishte një tjetër objektiv të cilin Rama e ndau me gazetarët. Sipas tij, do të ndërtohet një aks rrugor turistik, që do të jetë gjurmë e re, që lidh Llogaranë me Himarën. Kjo rrugë, theksoi ai, do të bëjë të mundur edhe ripërtëritjen e fshatrave të kësaj zone.

Rruga e Thethit, dhe një rrugë e re që lidh Shëngjinin me Velipojën, duke bërë të mundur kështu lidhje të shkurtër me Malin e Zi, janë dy projektet e tjera që pritet t’i japin hov turizmit, të prezantuara këtë të martë nga Kryeministri.

Lexo të tjera