12:53 / E mërkurë, 06 Shtator 2017

Më shumë gra të punësuara në sektorin privat se sa në publik

Më shumë gra të punësuara në sektorin privat se sa në publik

Instituti Riinvest ka publikuar raportin “Gratë në tregun e punës”, sipas të cilit 54 përqind të grave janë të punësuara në sektorin privat ndërsa mbi 40 përqind janë të punësuar në sektorin publik.

Drejtori i Institutit Riinvest, Alban Hashani ka thënë se ka pabarazi në tregun e punës në mes grave dhe burrave, ku  femrat më shumë janë punëmarrëse sesa punëdhënëse në krahasim me burrat.

“Përderisa gratë përfaqësojnë gjysmën e popullsisë të Kosovës, fuqizimi dhe pjesëmarrja e tyre në tregun e punës nuk është proporcional, Të  dhënat tona sugjerojnë se gratë janë të nën përfaqësuara në treg qofshin si punëdhënëse apo si punëmarrëse edhe pse realiteti i punësimit  ne të  gjithë e dimë që është jo i mirë për të dy gjinitë, megjithatë gratë rezultojnë të jenë më keq në këtë aspekt në Kosovë....Kur i krahasojmë aktivitetet e grave me të burrave në tregun e punës rezulton se 78 përqind e të punësuarve gra janë punëtore, pra punëmarrëse jo punëdhënëse, përderisa ky proporcion tek burrat është 66 përqind pra është shumë më i madh proporcioni i punëmarrësve ose pjesëmarrjes së punësuarve burra që janë edhe punëdhënës”, tha ai.

Sipas Hashanit Instituti Riinvest në bashkëpunim me USAID-in  janë angazhuar në forumin ekonomik të grave i cili ka për qëllim hartimin e politikave publike që mundësojnë përmirësimin e pozitës së grave në biznes.

Ndërsa , Miranda Jolicoeur, zëvendës drejtore  në Zyrën për Demokraci dhe Qeverisje në USAID tha se Forumi Ekonomik i Gruas  do të ndihmoëj gratë e Kosovës të flasin me një zë të unifikuar për të ndikuar në ndryshime.

“Ne duhet të shohim në mënyrë të saktë të dhënat dhe pastaj t’i përdorim për të punuar për ndryshim, për të lobuar dhe për të insistuar për një fushë më të barabartë ekonomike për çdo grua në Kosovë. Në muajt e ardhshëm, Forumi Ekonomik i Gruas do të hartojë agjendën ekonomike të grave që do të përdoret për të lobuar drejtpërdrejt në Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik dhe në komunitetet e tjera parlamentare. Forumi Ekonomik i Gruas do t'i ndihmojë gratë e Kosovës të flasin me një zë të unifikuar për të ndikuar në ndryshime”, shtoi ajo.

Nga raporti  “Gratë në tregun e punës” u tha se 54 për qind të grave janë të punësuara në sektorin privat ndërsa mbi 40 për qind janë të punësuar në sektorin publik, dhe se 30 për qind e tyre të punësuara në sektorin privat nuk kanë kontrata të punës, ndërsa në sektorin publik 23 për qind janë me kontratë me afat.

Sa i përket barrierave në tregun e punës, 36 përqind e grave besojnë se niveli i ulët i pagës është barrier e madhe ndërkaq 15 për qind thonë se barriera kryesore është  edhe orari i punës.

Ndryshe për këtë raport janë anketuar gjithsej 600 gra në rajone të ndryshme të Kosovës duke përfshirë edhe Mitrovicën Veriore.

Lexo të tjera