10:26 / E shtune, 15 Korrik 2017

Nisin hetimet për çmimet e importit të vezëve

Nisin hetimet për çmimet e importit të vezëve

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, pritet të fillojë hetime kundër dampingut të importit të vezëve.

Këtë vendim MTI-ja e  ka marrë pas ankesave të përfaqësuesve të Shoqatës së Shpeztarëve të Kosovës , të cilët kanë shprehur dyshime për vezët të cilat importohen nga Shqipëria në tregun e Kosovës shiten më lirë se sa në Shqipëri.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, Sytrime Dervisholli , drejtore në Departamentin e  Tregtisë në MTI.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, veç pritet të filloj një hetim zyrtar lidhur me sektorin apo industrinë e vezëve. Ministrja e Tregtisë, veç ka nënshkruar vendimin i cili tanimë do të publikohet edhe në gazetën zyrtare të Kosovës, sipas proceduarve që i parasheh ligji për masat anti dampingut dhe masat kundër balancuese. Gjatë këtij hetimi zyrtar ne do të hulumtojmë tregun vendor, ku do të kemi mundësi t’i vizitojmë disa kompani vendore. Gjithashtu shoqatën e cila me 15 qershor të këtij viti vetëm ka bërë kërkesë ankesë zyrtare në MTI  e cila ankohet se vijnë vezë nga Shqipëria me çmime më të ultë se sa që shiten në Shqipëri .Prandaj fokusi jonë kryesor do të jetë në tregun e Kosovës dhe atë të Shqipërisë. Ku pastaj do të bëjmë krahasimin e çmimeve dhe do të dalim me një vendim përfundimtar”, tha Dervisholli.

Dervisholli ka treguar se sipas ligjit për masat antidampingut vendimi do të merret brenda 90 ditëve.

 Por ajo shpreson që vendimi të merret shumë më shpejt se afati i paraparë me ligj. Ajo thotë se MTI-ja, është duke u munduar që të mbrojë kompanitë kosovare dhe se në kohë sa më të shpejtë të marrin masa ndaj dukurive negative që u shfaqen bizneseve. Ajo ka treguar edhe rastet e tjera që MTI-ja i ka trajtuar.

“Mund të them që tani edhe kërkesat nga bizneset janë të shpeshtuara në krahasim me vitet e kaluara. Masa e parë mbrojtwse sa i përket mbrojtjes së prodhuesve vendor është marrë në vitin 2011. Në rastin e shoqatës së bllokave ndërtimorë , respektivisht bllokat me përbërje argjirore . Ku kjo masë është vendosur ndaj shtetit serb për bllokat e argjilës ku çdo bllok llogaritet me nga 2 centë si masë anti dampingut. Gjithashtu kemi pasur edhe sektorin e mishit të pulës të mbrojtur më herët në vitin 2012, kur kemi është importuae produkti i mishit të pulës nga Sllovenia. Tanimë kemi sektorin e vezëve që po e analizojmë, gjithashtu kemi edhe sektorin e miellit të cilin jemi duke e analizuar si Departamenti  i Tregtisë ku kemi indikacione , dyshime se mund të vijnë çmime më të ultë të miellit nga Serbia se sa që shiten në Kosovë“, tha Dervisholli.

Ligji për antidamping , sipas saj, i cek shumë qartë gjitha dispozitat dhe veprimet të cilat duhet t’i merr MTI-ja , Departamenti i Tregtisë në bashkëpunim me komisionin ndërinstitucional apo ndërqeveritar që përbëhet nga ministri të ndryshme dhe cilat e analizojnë situatën paraprakisht .

Sipas saj, obligimi i parë që del nga ligji është që të bëhet hulumtimi paraprak në mënyrë që të vijnë me një përfundim nëse ka indikacione të mjaftueshme me filluar hetime zyrtare.

Kryetari i Shoqatës së Shpeztarëve të Kosovës, Sabit Rama, nuk ka dashur në këtë fazë të flasë duke thënë se derisa të përfundojë hetimi nga MTI-ja. “Ne e kemi bërë ankesën me dyshimet tona, tani mbetet punë e MTI-së”, tha Rama.

Por në Doganën e Kosovës nuk evidentohen raste të tilla. Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganës së Kosovës, ka thënë se dogana në rastet kur MTI e informon dhe kur vërejnë se ka çmime më të ultë se sa që shiten nga vendi i origjinës atëherë i ndalon.

“ Sa i përket rasteve të dampingut, apo të shitjes së mallrave nënë koston e prodhimit të tyre , dogana e Kosovës normalisht pret informacione në të gjitha rastet nga MTI-ja e cila është kompetente për vlerësimin dhe hetimin e këtyre rasteve. Dampingut është i përfshirë edhe në legjislacionin e Kosovës, por normalisht rregullohet edhe nga Organizata Botërore e Doganave pasi është i ndaluar edhe në institucionin më të lartë. Dampingu ndodh kur një kompani e caktuar ka një sasi të mallrave të cilat tenton me i depërtua në tregun tjetër nën koston e prodhimit të tyre....Nuk mund të themi që kemi pasur numër të madh të rasteve“, tha Stavileci.

Ndryshe shpeztarët kanë protestuar disa herë para Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës duke kërkuar që të hetohet importi i vezëve nga Shqipëria pasi që po i dëmton fermerët e vezëve në Kosovë.

Ndryshe, me  ligjin antidamping dhe masat kundërbalancuese  përcaktohen rregullat dhe procedurat për vendosjen e masave antidamping ndaj importeve, të cilat janë objekt i dampingut, si dhe masave kundërbalancuese ndaj importeve të subvencionuara, me qëllim të mbrojtjes së industrisë vendore dhe interesave të Republikës së Kosovës.

Ky ligj zbatohet për masat antidamping dhe kundër balancuese kundër një produkti të importuar, i cili është i dampuar apo përfitues nga subvencionet e Qeverisë ose një autoritet publik i vendit eksportues ose vendit të origjinës, me kusht që ky import i një produkti shkakton ose kërcënon të shkaktojë dëm material ndaj industrisë vendore të Republikës së Kosovës.

 Masat antidamping dhe/ose kundërbalancuese vendosen vetëm pas respektimit të procedurave përkatëse dhe kryerjes së hetimeve në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë ligj.

Lexo të tjera