11:55 / E enjte, 05 Janar 2017

Operatori serb do t'i ketë në shfrytëzim 60 mijë numra

Operatori serb do t'i ketë në shfrytëzim 60 mijë numra

Kompania serbe e telefonisë fikse dhe mobile, “MTS’ D.O.O”, antenat për funksionim të saj do ti vendos në 30 lokacione të territorit të Kosovës, kryesisht në zonat e banuara me serbë.

Po ashtu kjo kompani do t’i ketë në dispozicion 60 mijë numra. Licenca për operim i është dhënë nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).Dhënia e licencës operatorit serb është bërë menjëherë pasi Kosova ka marrë kodin shtetëror +383, kod ky i cili do t’i sjellë vendit përfitime të mëdha.Tenderi i tretë për telefoninë mobile do të jetë më joshës për investitorët e huaj e po ashtu pritet të i ngritët vlera e Telekomit të Kosovës.Këto i ka bërë të ditura në një intervistë për “KosovaPress”, kryetari i bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi.  Ai ka shtuar se tentativa e mëhershme për privatizim të Telekomit të Kosovës, gjithmonë është parë si  brengë nga investitorët potencial.Gashi ka treguar  se Serbia ka kërkuar një operator të tretë për telefonin mobile dhe fikse në Kosovës,  si dhe kod 4 shifror, gjë e cila i është refuzuar.

Ai po ashtu ka treguar se fillimisht pala serbe ka kërkuar t’i ketë në dispozicion 72 lokacione, por se janë marrë vesh që t’i kenë në dispozicion 32 prej tyre.

Kompania e telefonisë mobile serbe , mund të jetë në pronësi të shtetit serb , mirëpo në Kosovë është e regjistruar si kompani private.

“Në Kosovë është e regjistruar si kompani private. Në Kosovë ajo është e regjistruar në emër të një personi dhe i ka aksionaret e vet . Por dihet që është një kompani bijë e kompanisë publike e Serbisë", tha Gashi.

Gashi po ashtu ka thënë se kompania serbe do ti respektojë të gjitha ligjet dhe rregullat duke përfshirë edhe tarifat e përcaktuara nga ARKEP, ashtu sikurse operatorët mobil që veprojnë në Kosovë. Ai po ashtu nuk e ka përjashtuar mundësinë e aplikimit të kompanisë serbe në tenderin për telefoninë e tretë mobile.“Tenderi i telefonisë së tretë do të jetë i hapur për të gjithë dhe nuk do të ndalohet pjesëmarrja , apo të favorizohet dikush . Nuk ka me u favorizuar por as nuk do të mund të ja ndalojmë , " tha Gashi.

Ai ka njoftuar se me ndërrimin e sim- kartelave me kodin e ri shtetëror, qytetarët nuk do të paguajnë tarifa për ndërrimin e kartelave, pasi sipas tij këto i marrin përsipër kompanitë e telefonisë mobile.

Lexo të tjera