10:17 / E hënë, 09 Janar 2017

Procedurat e reja për gjobat ndaj bizneseve kanë hyrë në fuqi që nga 1 janari

Procedurat e reja për gjobat ndaj bizneseve kanë hyrë në fuqi që nga 1 janari

Një nga problemet më të mëdha që ka ngritur biznesi vitet e fundit ka qenë ajo e gjobave të tatimeve, të cilat shpesh jo kanë qenë shumë të rënda por edhe arbitrare dhe të pamundura për tu apeluar. Ligji që përcaktonte mënyrën e apelimit të penalizimeve ndaj biznesin ka dalë që nga viti 2008, por për shkak të problematikave të shumta në zbatimin e tij qeveria u detyrua ta ndryshojë atë në fund të vitit 2016.

Kështu për shkak të ndryshimeve në ligjin e procedurës tatimore të vitit 2008 që nga 1 Janari vitit 2017 hyn në fuqi ligji nr. 112, sipas të cilit bizneset do të ndjekin një rrugë të re për të apeluar vendimet e Administratës Tatimore ndaj tyre. Ndryshe nga si funksiononte më parë, tani ankimimi bëhet tek Ministria e Financave, pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor, e cila më parë ishte në varësi në Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Ja cilat janë të gjitha procedurat dhe dokumentet që i duhen një biznes,i për të apeluar gjobat dhe masat e tjera ndaj tyre nga organet tatimore;

Dokumentet që ju duhen për tu ankimuar

-Duhet të kesh një dokument (të dërguar nga administrata tatimore) i cili prek interesat e tatimpaguesit (lexo më poshtë se ç’mund të jetë ky dokument).

-Të ankohesh brenda 1 muaji nga marrja dijeni për aktin administrativ që të ka dërguar administrata tatimore.

-Brenda këtij muaji duhet të paguash ose të vendosësh garanci bankare për detyrimet që përmban njoftimi i vlerësimit së bashku me kamatëvonesat deri në datën e pagesës. Gjobat, as nuk parapaguhen e as vihet garanci.

-Kujdes: Pa këto dokumente, Drejtoria e Apelimit e refuzon ankimin.

Përse mund të ankoheni:

-Për çdo “Njoftim-vlerësimi për detyrimet tatimore” që ju ka dërguar administrata tatimore dhe ju me gjykoni të padrejtë.

-Çdo akt tjetër administrativ që ndikon detyrimin tatimor të tatimpaguesit, përfshirë edhe kërkesën për kompensim.

-Çdo akt që ndikon në kërkesën për rimbursim të tatimpaguesit.

-Çdo akt që ndikon në kërkesën e tatimpaguesit për lehtësim tatimor.

-Mund të ankimohen gabimet e bëra nga administrata në llogaritjen e përqindjes së kamatëvonesës.

-Vendosjen ose gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të ndryshme të gjobave.

-Ankimi mund të bëhet edhe kundër një mosveprimi, të administratës tatimore që ndikon në detyrimin tatimor të tatimpaguesit.

-Kujdes, nuk mund të ankimohen masat administrative që kanë të bëjnë me masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore si urdhër bllokimi i llogarive bankare; njoftim dhe kërkesë për të paguar; njoftimi për palë të treta dhe aktet administrative që lidhen me konfiskimin e mallrave.

Dokumentet që duhen dërguar në Drejtorinë e Apelimit për ankimin:

-Kërkesën me shkrim ku të përshkruajë pretendimet e tij. Në këtë kërkesë duhet të shënohen emri dhe adresa e tatimpaguesit; numri i regjistrimit të tatimpaguesit (NIPT-i) dhe në mbyllje të saj e nënshkruan.

-Aktin administrativ të nxjerrë nga administrata tatimore.

-Vërtetimin e pagesës së detyrimit dhe kamatëvonesave (urdhër-pagese i kaluar në bankë). Në mungesë të pagesës, garanci bankare ku të përfshihen detyrimet+ kamatëvonesat.

-Informacione në mbështetje të ankimit si raporte kontrolli, proces-verbale, akte-konstatimi etj.

-Çdo dokument tjetër që ankimuesi e çmon të rëndësishme se ndihmon zgjidhjen e drejtë të çështjes.

Si dërgohet ankimi në Drejtorinë e Apelimit?

Ankimi mund te dorëzohet dorazi ose dërgohet me postë rekomande. Datë e marrjes se ankimimit nga Drejtoria e Apelimit Tatimor konsiderohet data e protokollimit në për ankimet e dorëzuara dorazi dhe data e dorëzimit në postë kur ankimi bëhet nëpërmjet postës.

Kujdes! Tatimpaguesi, në dokumentat që dorëzon për ankim, duhet të vërtetojë datën e marrjes së aktit administrativ, objekt ankimi. Si provë, mund të shërbejë kopja e zarfit nëpërmjet të cilit është dërguar ankimi pranë tatimpaguesit, kopja e regjistrimit të dorëzimit të objekteve postare nga zyra postare etj.

Çështje që duhen mbajtur parasysh gjatë apelimit:

Drejtoria e Apelimit gjatë shqyrtimit mund të kërkojë dokument shtesë dhe tatimpaguesi është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës.

Barra e provës për të vërtetuar të kundërtën e vlerësimit të administratës tatimore i takon tatimpaguesit.

Në rast se tatimpaguesi e ka humbur afatin e ankimit, ai duhet të argumentojë dhe provojë me dokumentacionin e nevojshëm se humbja e afatit të ankimit nuk është për faj të tij.

Mbas rivendosjes në afat, ankimi duhet bërë mbas 15 ditësh e jo pas 1 muaji sikurse ishte pa e humbur këtë afat.

Në rast se tatimpaguesi ka dëshirë të dëgjohet edhe me gojë, ai mund ta kërkojë këtë në ankimin e vet.

Lexo të tjera