13:15 / E hënë, 28 Gusht 2017

Pulat e harxhuara për vezë nuk paraqesin rrezik për shëndetin

Pulat e harxhuara për vezë nuk paraqesin rrezik për shëndetin

Pulat e fermave që përfundojnë ciklin e prodhimit të vezëve mund të shiten dhe konsumohen.

Kështu kanë deklaruar zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës(AUV), të cilët thonë se pulat,  të cilat nuk janë më për prodhimin e vezëve nuk duhet të asgjësohen nga fermerët, por mund të shiten për therje dhe të konsumohen, sepse kjo është e rregulluar me legjislacionin në fuqi njësoj sikur në vendet tjera.

Përderisa shumë fermerë kosovarë pasi të harxhohen pulat e tyre për vezë, vazhdojnë t’i shesin me çmime mjaft të volitshme, Lamir Thaçi zëdhënës i AUV-it tha se për këtë çështje nga fermerët kërkohet që vetëm therja e pulave të tilla të bëhet në thertoret e licencuara dhe aprovuara, dhe mos të bëhet në forma të tjera, për shkak se, siç tha ai, çdo therje jashtë thertoreve të licencuar është therje ilegale dhe nuk i plotëson kushtet për konsum të produkteve që dalin nga këto therje.

Zëdhënësi Thaçi shtoi se në të gjitha vendet e ndryshme, pulat pasi ta përfundojnë ciklin e prodhimit të vezëve, dërgohen për therje, theren në mënyrë të kontrolluar në thertore të licencuara dhe po ashtu pas përfundimit të therjeve, produktet konsumohen, si dhe duhet të deklarohen si pula të therura, e jo si zogj apo forma të tjera.

“Nuk paraqet asnjë rrezik dhe kjo është praktikë që përdoret në të gjitha vendet tjera dhe në Kosovë pulat të cilat pas përfundimit të ciklit të prodhimit të vezëve ato theren… Në vendin tonë fermerët pasi të përfundojnë (ciklet e prodhimit të vezëve) ata i dërgojnë pulat në thertore dhe dërgohen për konsum, deklarohen si pula dhe jo zogj… Andaj, lejohet therja e pulave pas përfundimit të ciklit të prodhimit të vezëve, porse duhet të bëhet vetëm në thertore të licencuara”, theksoi Thaçi.

Pronari i fermës “Vezët e Arta” Sabit Rama deklaroi për KosovaPress se në fermën e tij posedon 60 mijë pula për prodhimtarinë e vezëve. Ai tha se brenda një viti, pulat të cilat mbarojnë ciklin e prodhimit të vezëve i shet në fshatin e tij, Akrashticë, me një çmim të volitshëm dhe siguroi se këto pula kanë shëndetin e mirë, si dhe nuk paraqesin rrezik për konsumimin e tyre.

“Në tri vitet e fundit unë i shes këtu, sepse kemi fshatarë që vijnë dhe i blejnë pulat për mbajtjen e tyre dhe nuk kemi telashe, sepse në treg nuk dal... Pulat, shumica rigjenerohen...(02’40) Absolut nuk është problem, sepse mishi i këtyre pulave të fshatit është shumë i sigurt dhe nuk ka asgjë të keqe për këtë punë”, deklaroi Rama.

Ferma “Vezët e Arta” në Akrashticë të Vushtrrisë si prodhues i vezëve mbulon tregun e Kosovës me vezë të freskëta mbi 90 përqind.

Edhe veterinari Safet Osmani deklaroi për KosovaPress se në aspektin shëndetësor, pulat e harxhuara mund të konsumohen dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut. Sipas tij, nuk ka substanca toksike as substanca helmuese ose të rrezikshme në ushqimin e shpendarisë.

“Ushqimet janë të kontrolluara dhe nuk paraqesin asnjë rrezik për shëndetin e njeriut, sepse ato janë të ushqyera me ushqim adekuat dhe absolut mishi i tyre nuk është i dëmshëm”, theksoi veterinari Osmani nëpërmjet telefonit për KosovaPress. 

Shumë fermerë të kësaj fushe, pulat vazhdojnë t’i shesin me çmime mjaft të ulta, një euro për copë.

Në disa shtete perëndimore pulat që përfundojnë ciklin e vezëve nuk konsumohen,  por ato digjen.

Lexo të tjera