07:24 / E mërkurë, 11 Tetor 2017

Rriten të hyrat e sigurimeve

Rriten të hyrat e sigurimeve

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se sektori i sigurimeve, që përfaqëson rreth 3.0 përqind të gjithsej aseteve të sistemit financiar, shënoi rritje vjetore më të ngadalësuar prej 3.8 përqind.

“Një ndër kontribuesit kryesor në rritjen e aseteve të sektorit të sigurimeve ishte rritja e parave të gatshme të mbajtura në bankat komerciale, që kanë pjesëmarrjen më të madhe në strukturën e aseteve të kompanive të sigurimit”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Sipas BQK-së, sigurimet jo-jetë, të cilat përfaqësojnë pjesën më të madhe të sektorit me 90.0 përqind të gjithsej aseteve, shënuan rritje vjetore prej 3.3 përqind, ndërsa, pjesa e mbetur e sektorit e përfaqësuar nga sigurimet ‘jetë’, shënuan rritje vjetore prej 8.4 përqind.

“Deri në qershor 2017, vlera e primeve të shkruara nga kompanitë e sigurimeve arritën vlerën prej 42.1 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 2.5 përqind. Struktura e primeve të shkruara kryesohet nga primet e sigurimit jo-jetë, të cilat përfaqësojnë 96.9 përqind të gjithsej primeve të shkruara. Vlera e realizuar e primeve të shkruara nga sigurimi jo-jetë arriti në 40.8 milionë euro”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Lexo të tjera