13:31 / E martë, 11 Korrik 2017

Sejko: Shqipëria ka vazhduar ritmin rritës të ekonomisë

Sejko: Shqipëria ka vazhduar ritmin rritës të ekonomisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka thënë se duke iu falënderuar marrëveshjes së fundit me FMN-në, Shqipëria vazhdoi ritmin rritës të ekonomisë dhe ndërmori një sërë reformash strukturore.

Ai këto komente i bëri në konferencën e nivelit të lartë “Ripërshpejtimi i konvergjencës në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore – roli i qeverisjes dhe institucioneve”, organizuar nga Banka Kombëtare e Kroacisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Dubrovnik të Kroacisë.Gjatë konferencës, guvernatori Sejko mori pjesë edhe në tryezën e diskutimit, organizuar nga Drejtorja e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde. 

Në këtë tryezë, guvernatori shqiptar diskutoi mbi kontributin që FMN-ja ka dhënë në vendet e EQLJ-së për realizimin e reformave dhe rolin që Fondi ka luajtur në forcimin e shoqërisë civile.  “FMN-ja ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në rajonin e EQLJ-së. Programet dhe këshillat e FMN-së kanë qenë vendimtare në vendosjen e rajonit në rrugën e duhur, nga tranzicioni drejt konvergjencës. Për më tepër, FMN-ja ka vazhduar të luajë rolin e rregullatorit sa herë që vendet e këtij rajoni janë përballur me vështirësi ekonomike dhe financiare ”, tha Sejko. 

Sa i përket rolit të FMN-së në të ardhmen, guvernatori u shpreh se ky rol mund të jetë më fleksibël dhe më eficient, duke kontribuar në forcimin e masave parandaluese të krizave të mundshme dhe në arritjen e objektivave finalë.

Lexo të tjera