11:57 / E hënë, 10 Korrik 2017

Shtrenjtimi i ushqimeve rrit inflacionin në qershor

Shtrenjtimi i ushqimeve rrit inflacionin në qershor

Çmimet e ushqimeve dhe lëndëve djegëse kanë shënuar rritje përgjatë muajit qershor, duke bërë që ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit të jetë 2,2%, raportoi INSTAT.

Një vit më parë çmimet kanë qenë më të lira për konsumatorët, teksa ky ndryshim ishte 1,2 %.

Pavarësisht rritjes, indeksi i çmimeve të konsumit mbetet poshtë objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë, prej afër 3%.

Rritja pritet të vazhdojë edhe në muajin korrik, teksa shumë produkte janë shtrenjtuar për shkak të thatësirës, por edhe mbarimit të sezonit. Shembull, një kg sallatë kushton aktualisht në tregun e pakicës 250 lekë, nga më pak se 100 lekë që ishte deri pak javë më parë. Edhe produkte të tjera ushqimore kanë shënuar rritje.

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,87 pikë përqindje. Çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “pije alkoolike dhe duhan” dhe “transporti” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “komunikimi” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,10 pikë përqindje. Çmimet e grupit “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,03 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Qershor 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,1 %, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 0,8 %, “transporti” dhe “shërbimi arsimor” me 0,7 %, “argëtim dhe kulturë” me 0,6 %, etj.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 16,8 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet“ me 12,1 %, “qumësht, djath e vezë” me 4,3 %, “peshk” me 3,7 %, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 2,7 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 2,9 %, njofton monitor.

Ndryshimi mujor i indeksit është – 0,3 %. Krahasuar me Maj 2017 ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupet “ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “argëtim dhe kulturë” me 0,7 % secili, pasuar nga grupet “veshje dhe këpucë” me 0,5 %, “transporti” me 0,4 %, etj. Rritje mujore e çmimeve vërehet në grupet “pije alkoolike dhe duhan” dhe “mallra dhe shërbime të tjera” me 0,1 % secili. 


Lexo të tjera