14:51 / E premte, 14 Prill 2017

Sipas ASK-së shkalla e papunësisë në Kosovë është 28.7%

Sipas ASK-së shkalla e papunësisë në Kosovë është 28.7%

Shkalla e papunësisë në Kosovë për tre mujorin e katërt të vitit që lamë pas sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 28.7 përqind.

Kështu bëhet e ditur në  publikimin e tyre në faqen zyrtare, shkruan Indeksonline.

Gjeni të plotë komunikatën:

 (ASK) publikon rezultatet kryesore të Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt (TM4) 2016. Anketa ka pasur shtrirje në 584 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 465 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese. Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës. 

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 41.3 %. Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt (TM4) 2016, është 29.5%. Punësimi më i lartë është te meshkujt me 45.6%, ndërsa punësimi te femrat është 12.9%. 

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetesor, me rreth 52 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, prodhimit dhe tregtisë me 44%. Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 14.1%, prodhimi me 12.9%, ndertimtaria me 12.5 % dhe arsimi me 9.8 %. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim. 

Sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 29.9% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.1% kanë kontratë të përkohshme. Sipas rezultateve të AFP-së në TM4 2016, shkalla e papunësisë është 28.7%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.3%, krahasuar me meshkujt me 26.9%. Shkalla me e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 52.2%. Sipas rezultateve të AFP-së në TM4 2016, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 58.7%, me fokus të veçantë te femrat me 80.4 %, krahasuar me meshkujt me 37.6 %. Për realizimin e AFP-së TM4, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit.

Temat:
Lexo të tjera