16:18 / E enjte, 10 Gusht 2017

​Turizmi në Gjirokastër, shtohet kapaciteti por problemet mbeten

​Turizmi në Gjirokastër, shtohet kapaciteti por problemet mbeten

Gjirokastra po kthehet në një destinacion të lakmuar nga turistët e huaj dhe vendas. Me një kapacitet akomodues të shtuar prej rreth 500 shtretërish vetëm përgjatë këtij vitit qyteti ka njohur dyfishim të numrit të vizitorëve, por njëkohësisht ka edhe probleme që shoqërojnë nxitimin për të çelur njësi të reja.

Sofia, nga Franca, gjendet në Shqipëri bashkë me një grup miqsh prej dy javësh. U nisën pa asnjë pritshmëri por e zgjatën vizitën për shkak të befasisë që patën me mikpritjen, natyrën dhe monumentet në Shqipëri. Në Gjirokastër vizituan qytetin dhe vendosën të shijojnë ushqimin tradicional.

“Siç e shihni kemi ngrënë gjithçka. Ushqimi ishte i shkëlqyer dhe këto ishin qoftet më të mira që kemi ngrënë. Çdo gjë tjetër është e freskët dhe aspak e shtrenjtë. Gjirokastra dhe Shqipëria ishte përtej pritshmërive tona”, shprehet Sofia.

Ardita, që drejton kuzhinën e një bujtine të vogël në qytet, thotë se recetat i ka trashëguar nga nëna dhe nëna e saj nga gjyshja. Kërkesa për kuzhinën tradicionale sipas saj është kryesore dhe vizitorët kënaqen me ushqimin.

“Kjo është e trashëguar brez pas brezi që nga nënat, nga gjyshet dhe është e pëlqyeshme nga të gjithë”, thotë ajo.

Restaurimet e vrullshme në zonën muzeale në pjesën e pazarit tradicional vështirësuan ca funksionimin e njësive të shitjes përgjatë muajve të fillimit të sezonit, por sipas Aurel Jaupit, ndërhyja ishte shumë e mirëpritur prej bizneseve sepse i shërben të ardhmes dhe imazhit të pazarit.

Ai thotë se edhe numri i suvenirëve është dyfishuar, ndërsa në treg kanë hyrë objekte të vogla me vlera që nisin nga 100 apo 200 lekë. “Në Gjirokastër mundësia më e mirë mund të jetë të hapësh një biznes me souvenire”, thotë Jaupi.

Në të gjithë zonën historike, në lagjet e sipërme të qytetit, interesi për t’u bërë pjesë e ofertës turistike po çon drejt restaurimit të shumë banesave dhe përshtatjes së tyre si bujtina të vogla.

Vetëm këtë vit Gjirokastrës i janë shtuar të paktën 500 shtretër falë këtyre ndërmarrjeve të vogla që kanë filluar të shesin edhe online. Nxitimi për të hyrë të treg duket se po shoqërohet me probleme të tilla si mungesë e parkimeve të premtuara, mungesa e ujit 24 orë për shumë prej njësive, por edhe mungesë e standardeve të premtura të sigurisë, mbrojtjes nga zjarri apo sigurisë ushqimore.

“Këta janë elementë shumë të hollë që duhet t’i kenë parasysh të gjithë dhe nëse nuk i kanë bërë duhet t’i bëjnë urgjentisht. E kam fjalën për sistemin e mbrojtjes nga zjarri, nga elektriciteti dhe sistemin e mbrojtjes ushqimore, që të mos na ndodhë asnjë pakënaqësi”, thotë Maksim Hoxha, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Gjirokastër.

Turistët dhe vizitorët ankohen dhe tërheqin vëmendjen gjithashtu për më shumë lehtësira në ambjentet publike. Pika të dobëta në këtë drejtim duket se lidhen me mundësi të kufizuara për internet wireless në zonë historike, mungesë ndricimi në rrugët e brendshme, vështirësitë e parkimit apo qarkullimi i mjeteve në zonën muzeale.


Lexo të tjera