09:13 / E Premte, 20 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ekskluzive: Këto janë provat që Policia ua konfiskoi grupit kriminal malazez (Foto)

Të mërkurën mbrëma, Policia e Kosovës realizoi njërin ndër operacionet më të mëdha kohët e fundit, atë të arrestimit të tre shtetasve të huaj dhe një kosovareje nën dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në vrasje dhe kidnapime.

Mario Millosheviq, Jovan Paviqeviq, Strahinja Danokoviq dhe Laureta Zuba, janë arrestuar në lagjen Kalabria në Prishtinë me urdhër të INTERPOL-it për shkak të krimeve të rënda – vrasje dhe rrëmbime në territorin e Malit të Zi.

Për këtë operacion, policia kishte punuar intensivisht rreth dy muaj ndërsa nuk ka munguar as bashkëpunimi me autoritetet malazeze.

Indeksonline gjatë gjithë operacionit policor kishte raportuar në kohë reale për çdo detaj të këtij aksioni.

Operacioni policor është zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.

Indeksonline ka siguruar foto të provave materiale që ka konfiskuar policia në banesën dhe veturën e të dyshuarve:

Dy nga të arrestuarit, dyshohet se përveç urdhërarrestit ndërkombëtar për vrasje, dyshohet të jenë përfshirë edhe në veprat penale: ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të armës’./Indeksonline/