13:37 / E Shtunë, 11 Gusht 2018

Ekskluzive: Kurdisën “mashtrimin e madh”, shteti nuk u konfiskoi Garancionin e Pakthyeshëm Bankar prej 16.2 milionë euro (Dokumente)

Buxheti i shtetit ishte dëmtuar saktësisht 16.2 milionë euro nga mashtrimi që Ekrem Lluka, Bujar Musa dhe Akan Ismaili, si pjesë e dy konzorciumeve të ndryshme, kishin bërë në Tenderin për Telefoninë e Dytë Mobile në Kosovë.

Por, shteti ende vazhdon të hesht përballë këtij mashtrimi të madh.  IndeksOnline ka arritur të sigurojë komplet dosjen e Tenderit për Telefoninë e Dytë Mobile në Kosovë.

Në këtë tender të shpallur më 3 nëntor 2006, kishin konkurruar gjithsej gjashtë konzorciume vendore e ndërkombëtare, derisa me vendim të asokohe kryeministrit Agim Çeku, dt. 28 mars 2006, menaxhimin e tërë procesit të zgjedhjes së ofertës më të volitshme do ta bënte Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.

Nga kompanitë e kualifikuara në fazën finale, “Kosmocell” kishte ofertuar me 81 milionë euro, “Ipkonet” me 75 milionë euro, “Mobilkom” me 65 milionë euro dhe “Team Kosova” kishte ofertuar me 27.7 milionë euro në këtë tender.

Megjithatë, oligarkët kosovarë, partnerë me letra e pa letra në biznese të ndryshme, për ta fituar me çdo kusht këtë tender kishin kurdisur së bashku edhe një mashtrim të madh, me të cilin buxhetin e shtetit e kishin dëmtuar saktësisht 16.2 milionë euro dhe askush nuk iu ka kërkuar ende llogari atyre.

Më 6 shkurt 2007, Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit në media e kishte shpallur kompaninë “Kosmocell” ofertues fitues për Licencën e Telefonisë së Dytë Mobile në Kosovë.

Pjesë e këtij konzorciumi ishin tri kompani, përkatësisht “Dukagjini Sh.p.k” me pronar Ekrem Llukën, “Kujtesa Sh.p.k” dhe “Capital Management Holding PLC”.

Në raportin final të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, “Kosmocell” ishte vlerësuar me 93% në sistemin e poentimit, “Ipkonet” me 85.95%, “Mobilkom” me 85.23% dhe “Team Kosova” me 56.72%.

IndeksOnline i posedon të gjitha ofertat financiare, por do të ndalemi në dy kryesoret, ku është bërë edhe mashtrimi me garancionin bankar dhe institucionet tona ende nuk kanë ndërmarrë asgjë.

Ndonëse ligjërisht e kishte obligative, pas tërheqjes së kurdisur të kompanisë së Ekrem Llukës nga oferta e “Kosmocell”-it si përpjekje për t’ia krijuar parakushtet IPKO-s për të fituar tenderin, si ofertues i dytë me i favorshëm, Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit nuk ia kishte konfiskuar Garancionin e Pakthyeshëm Bankar në vlerë prej 16.2 milionë euro, kur “Kosmocell”, sipas ART-së, nuk i kishte kryer obligimet e veta financiare prej 81 milionë euro brenda afatit ligjor.

“Aplikuesi duhet t’i bashkëngjisë aplikacionit një zarf të mbyllur në të cilin paraqet shumën (ofertën) që ai dëshiron të paguajë për licencë, në pajtueshmëri me instruksionet e tenderit. Shuma duhet të jepet në valutën euro dhe duhet të përfshijë 20 milionë euro si çmim i rezervuar. Ofertat me më pak se 20 milionë euro nuk do të pranohen. Nga ofertuesit kërkohet që të paraqesin një Garanci të Pakthyeshme Bankare nga një institucion i njohur financiar (bashkëngjitur me ofertën financiare) për ART, në vlerë jo më pak se 20% e çmimit ofertues.

Aplikuesit të cilit i është dhënë numri më i madh i pikëve, do t’i jepet licenca pasi që shuma e ofertuar të jetë paguar. Ofertuesi fitues duhet të sigurojë që shuma e zotuar të pranohet nga ART brenda dy javësh, që nga momenti i shpalljes së ofertuesit fitues”, thuhej shumë qartë në Pakon Tenderuese për Telefoninë e Dytë Mobile në Kosovë lidhur me Garancionin e Pakthyeshëm Financiar prej 16.2 milionë euro në rastin e kompanisë “Kosmocell”, që ART-ja nuk ia kishte konfiskuar për shkak të ndikimeve politike.

Autoritetet Kontraktuese e kërkojnë Garancionin e Pakthyeshëm Bankar për t’u siguruar që ofertuesit janë seriozë dhe si garancë për realizimin e ofertës së tyre. Kjo masë u krijon mundësi operatorëve ekonomikë që në raste të kundërta, kur ofertuesit nuk është seriozë, t’ia konfiskojnë të gjitha mjetet që parashihen me vlerën e garancisë bankare.

Garancioni i Pakthyeshëm Bankar i kompanisë “Kosmocell” ishte 20% e vlerës së ofertës prej 81 milionë euro, pra gjithsej 16.2 milionë euro. /IndeksOnline/

Lexo edhe: http://indeksonline.net/skandaloze-oligarku-bujar-musa-tentoi-ti-pastroje-1-milion-dollare-false-ne-kazinote-amerikane-dokument/

Vazhdon: Sa vjet kishte vlefshmëri Garancioni Bankar? Pse ART-ja nuk e kishte konfiskuar dhe çfarë i kishte shkruar shefi i Zyrës Ligjore, Komisionit Special Mbikëqyrës? A i shkelën edhe vetë këta kriteret e Pakos Tenderuese? Etj.