17:04 / E Premte, 14 Shtator 2018 / indeksADMonline

Elez Blakaj lajmërohet nga SHBA-ja, flet për aktakuzën e ngritur për veteranët e UÇK-së

Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj 12 personave për rastin e veteranëve të rrejshëm,  ka folur ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, i cili gjatë kohës sa ishte në rolin e prokurorit e kishte përgatitur gjithë këtë aktakuzë.

“Janë thënë të gjitha që është dashur të thuhen. Gjërat duhet të ecin përpara”, ka thënë Blakaj.

Sipas tij çdo kush që e don UÇK-në, duhet t’i gëzohet këtij lajmi.

“Çdo person që e don sa do pak vendin tonë, çdo ushtarë luftëtar i UÇK-së do t’i gëzohet këtij lajmi”, ka thënë Blakaj për expres nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

12 personat  akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kanë fryrë listën e veteranëve të UÇK-së deri në 19 mijë më shumë. Në njoftimin e Prokurorisë Speciale janë publikuar inicialet e personave të akuzuar, mësohet se bëhet fjalë për anëtarët e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve në krye me kryetarin, Agim Çekun.

Të akuzuarit janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.