16:32 / E Enjte, 18 Janar 2018 / indeksADMonline

Ende ka punëtorë të QKUK-së që nuk janë pajisur me kartela për hyrje-dalje

Ishte paraparë që të gjithë punëtorët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të pajisen me kartela për hyrje-dalje nga oborri i saj. Megjithatë, ende ka të tillë që nuk kanë marrë kartela.

Menaxheri i Kontratës dhe Zyrtari i IT-së në QKUK, Faton Hajzeraj ka deklaruar për “Indeksonline” se janë sjellë 1 mijë kartela të reja, por sërish ka punëtorë që nuk i kanë marrë ato.

I pyetur rreth keqpërdorimeve me kartelat për hyrje-dalje nga oborri i QKUK-së, Hajzeraj është shprehur se janë duke punuar vazhdimisht që të mos kenë të tilla.

“Ka ndoshta ndonjë person që nuk i ka marrë, por shumica, diku 98 % janë pajisur me kartela. Kanë ardhur edhe 1 mijë kartela, edhe ato janë shpërnda. Nëse një kartelë shfrytëzohet më shumë se tri herë hyrje-dalje brenda orarit të punës, ajo bllokohet. Për ta zhbllokuar atë, duhet lejim nga shefi i atij punëtori që ne t`ia lejojmë sërish në shfrytëzim atë kartelë. Jemi duke u munduar që sa më shumë ta heqim keqpërdorimin e kartela. Jemi në proces e sipër”, ka thënë ai.

Hajzeraj sërish ka theksuar se punëtorët e QKUK-së mjafton të tregojnë identifikimin se janë punëtorët të QKU-së dhe nuk kanë telashe me kalimin.

“Dikush e humb kartelën, asnjëherë nuk mund të pajisen të gjithë me kartela të hyrje-daljeve, por pa marrë parasysh a e ka kartelën apo jo, a e ka kontratën apo identifikimin se është punëtor i QKUK-së, ose dikush që tregon se është i ndonjë kategorie që lirohet prej pagesës, atëherë ai pa problem kalon”, ka sqaruar ai.

Kujtojmë se vetëm pas rreth 3 muajve, QKUK-ja kishte përfituar mbi 60 mijë euro nga sistemi i ri i pagesave./Indeksonline/