17:30 / E Shtunë, 10 Shkurt 2018

EULEX mban lëndët vrasjeve të pasluftës, nuk dihet kur do të bëhet transferimi i tyre tek Prokuroria Speciale

Një numër i konsideruar i vrasjeve të pasluftës që ndodhën në Kosovë gjatë viteve 1999-2001, ndonëse nuk ka pasur progres në hetimin dhe zbulimin e tyre, këto lëndë ende ndodhën në sirtarët e Prokurorisë së EULEX-it.

Misioni i Bashkimit Evropian edhe pse ndodhet vetëm katër muaj para përfundimit zyrtar të misionit të tij që kishte për qëllim forcimin e sundimit të ligjit, nuk është e qartë se kur do ti transferoj këto lëndë tek Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Shumica e këtyre rasteve janë trashëguar nga UNMIK-u, ndërkohe qe disa raste janë hapur nga misioni i EULEX-it. Këto raste janë trajtuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës ose nga prokuroret e zyrave te atëhershme te Prokurorive te Qarkut”, thuhet nga EULEX në një përgjigje dhënë për Indeksonline.

Ndërkaq Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku në një prononcim për Indeksonline është shprehur se nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur EULEX-i do të bëjë transferimin e këtyre lëndëve tek autoritetet vendore.

“Nuk janë transferuar ende në prokurorinë speciale, këto lëndë i ka njëherë  EULEX-i në hetim, por do të transferohen mirëpo nuk mund të caktojmë kohën se kur do të ndodhë kjo”, ka thënë Millaku.

Në anën tjetër zyrtar të UNMIK-ut, janë shprehur se gjitha lëndët që kanë të bëjnë me vrasjet e pasluftës e që janë hapur gjatë mandatit të tyre, si të tilla komplet janë transferuar tek misioni i EULEX-it.

“Ju lutem vini re se asnjë rast nuk është mbajtur nga UNMIK-u, të gjitha dosjet e lëndëve janë transferuar në EULEX në vitin 2008, dhe ato mbeten ne EULEX. Nën mandatin e vet, EULEX-i punon ngushtë me institucionet vendore të drejtësisë”, thuhet në përgjigjën e UNMIK, dhënë për Indeksonline.

Temat: