21:00 / E Shtunë, 21 Korrik 2018 / indeksADMonline

Fabrika Ferronikel në Drenas më shumë se pesë muaj në krizë

Prodhimi u ndalë me 13 mars pasi rreth 820 punëtorë dhe 250 kontraktorë ndërprenë punën si shkak i mospagesës nga ana e Menaxhmentit të kësaj fabrike.

Për ndaljen e prodhimit, Menaxhmenti u deklarua se fabrika është duke u përballur me disa vështirësi teknologjike.

“Të enjtën, më 05 Prill 2018, kompania NewCo Ferronikeli ka reduktuar përkohësisht kapacitetin e fabrikës së saj pas një jave të suksesshme të testimit të prodhimit. Fabrika është përballur me disa vështirësi teknologjike, por tani është gati të rifillojë në operimin e plotë në afat kohor sa më të shkurtër të mundshëm. Sapo që lënda e parë të jetë në dispozicion, ne do të vazhdojmë të operojmë me kapacitet të plotë dhe e gjitha kjo bëhet sipas programit. Ne e vlerësojmë mbështetjen e punonjësve dhe partnerëve tanë dhe besojmë që do të përmbyllim me sukses programin tonë të ristartimit të operimit të plotë të fabrikës” patën thënë ata për Indeksonline.

Më pas, Administrata Tatimore e Kosovës rimbursoi fabrikën për muajin prill, ku me këtë rimbursim u paguan disa paga të punëtorëve.

“ATK ju informon rreth biznesit në fjalë, se rimbursimi i muajit 04/2018 është miratuar dhe aprovuar me datë 10.05.2018. Kërkesën për muajin 04/2018 e ka bërë me 21.05.2018 në vlerë 67,263.53 euro”, kanë thënë nga zyra për informim e ATK-së për redaksinë.

Pas rimbursimit, Menaxhmenti i Ferronikelit doli me një njoftim për punëtorët. Në këtë njoftim, ata u deklaruan se prodhimi do të nis në fund të muajit qershor.

“Menaxhmenti i Ferronikelit, planifikon që fabrika të rifillojë prodhimin në fund të muajit qershor 2018. Të gjithë punëtorët do të punojnë rregullisht në tri ndërrime dhe pagesa e rrogave do të vazhdon të bëhen në mënyrë të rregullt. Rrogat e muajit prill 2018 pritet të transferohen gjatë 10 ditëve të ardhshme”, thuhet në këtë dokument të siguruar nga Indeksonline.


Mirëpo, gjendja e Ferronikelit vazhdoi të jetë e njëjtë. As prodhimi nuk filloi e as obligimet ndaj punëtorëve nuk u përfunduan.

Disa punëtorë për Indeksonline kanë thënë se nëse deri me 1 gusht nuk paguhen, atëherë menaxhmenti hyn në borxh me ta për dy rroga e gjysmë.

Indeksonline ka dërguar pyetje në emalin zyrtar të menaxhmentit të Neëco Ferronikel lidhur me gjendjen atje, mirëpo këta të fundit nuk u janë përgjigjur.

Kohët e fundit është raportuar se Biznesmeni shqiptar Samir Mane është shumë afër blerjes të Ferronikelit nga kompania greke Cunico Resources, që ka shumicën e aksioneve në këtë kompani.

Mirëpo, zyrtar nga kjo kompani për portalin kanë thënë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar në lidhje më këtë.

Kujtojmë, që kjo fabrikë është përballur me krizë ekonomike edhe në vitin 2017, ku pas 6 muajve ishin rindezur furrat.

Nga kjo kompani shumë punëtorë të Drenasit mbajnë familjet./Indeksonline/

Ekskluzive: Lajm i mirë për Ferronikelin, ja kur pritët të nis prodhimi (Dokument)

Ferronikeli deklarohet për ndaljen e prodhimit në fabrikë

Ferronikeli ndalë prodhimin, kjo është arsyeja

 

Qeveria rimburson me mbi 400 mijë euro fabrikën Ferronikel

 

Punëtorët e ndërprejnë punën, ndalet prodhimi në Ferronikel