10:58 / E Premte, 09 Mars 2018 / indeksADMonline

Familja Maloku hap dyert për ngushëllime, flasin për krimin e rëndë (Video/Foto)

Familja Maloku nga Plloqica e Malishevës ka hapur dyert e shtëpisë për ngushëllime.

Familjarë e miq po presin në radhë për të ngushëlluar prindërit e Shani e Bahri Malokut, të cilët u vranë mbrëmë me armë zjarri nga persona ende të panjohur.

Vrasja e dy vëllezërve Maloku, 44 dhe 33-vjeç, ka tronditur banorët e kësaj ane.

“Kemi qenë duke lujt me letra dhe kemi dëgjuar një zhurmë në oborr. Kemi dalë jashtë dhe i kemi parë dy persona të armatosur me kallashnikov. Ne kemi vrapu mi kap hajnat. Ata kanë gjuajt fillimisht dy herë në ajër e më pas kanë qëlluar mbi neve, duke e lënë të plagosur Shaniun dhe Bahriun”, ka rrëfyer për Indeksonline një dëshmitar i rastit.

Sipas dëshmitarit, të dyshuarit pasi kanë shtënë me armë kanë ikur në drejtim të panjohur ndërsa familjarët e viktimave me dy vetura i kanë transportuar të plagosurit drejtë spitalit.

Njëri prej tyre ka ndërruar jetë në Malishevë ndërsa tjetri në QKUK-Prishtinë.

Banorët e Plloqicës kanë thënë për Indeksonline se në këtë fshat edhe javën e kaluar kishte ndodhur një vjedhje e veturës, ndërsa mbrëmë hajnat deshën të vjedhin lopët e familjes Maloku.

Të dy vëllezërit Maloku të vrarë kanë qenë të martuar. Shaniu ka lënë gruan me katër fëmijë, ndërsa Bahriu ka lënë gruan dhe dy fëmijë.

Ata kanë thënë për Indeksonline se Shaniu dhe Bahriu kurrë më askënd nuk kanë pasur mosmarrëveshje në të kaluaren.

Trupat e viktimave janë dërguar në departamentin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, derisa ende nuk është caktuar ora e varrimit të tyre.

Policia e Kosovës edhe sot është parë në vendin e krimit ku është duke punuar intensivisht për të zbardhur rrethanat e vrasjes së rëndë./Indeksonline/