18:08 / E Martë, 15 Maj 2018 / indeksADMonline

Familja skamnore nga Podujeva bëhet me shtëpi në prag të Ramazanit (Foto)

Një familje e varfër në Podujevë është ndihmuar nga një grup qytetarësh vullnetmirë, pas iniciativës së Fitim Hazirit, i cili është edhe asamblist në Kuvendin Komunal të Podujevës.

“Një ditë prej ditëve Mentor Latifi një shok apo më mirë t’i them një vëlla i imi erdhi dhe më tregoi se një familje në njërin nga fshatrat e Podujevës e kishte një të sëmurë rëndë dhe kishte nevojë për disa barna. Ne u organizuam dhe arritëm që t’ia grumbullonim disa të holla 410 euro, por nuk dinim se si t’ia gjenim shtëpinë. Me të mbërritur në atë fshat, disa banorë na ndihmuan ta gjenim shtëpinë. Aty na u sqarua gjithçka. Ishte një familje që përbëhej nga 4 anëtarë, të cilët jetonin në një shtëpi të vjetër dhe i kishte dy dhoma dhe një banjo, ku me vonë me ndihmën e të afërmve ia kishin shtuar edhe një dhomë, një korridor dhe pullazin”, rrëfen Haziri.

Si tregon se dhomat ishin të pagëlqerosura, përveç njërës dhe gjysmës së kuzhinës. Kjo familje mbijetonte nga bagëtitë që i kishte pasur, por i kishte shitur për shërimin e zonjës së shtëpisë. I zoti i shtëpisë kishte qenë i punësuar dhe merrte një rrogë 150€ në muaj, por ishte detyruar ta ndërpriste punën që të kujdeset për të shoqen. Mjerimi, varfëria dhe pikëllimi i thellë sundonin në këtë familje.

“Ne nuk qëndruam të heshtur, por vepruam, sepse e dinim që shteti në të cilin jetojmë nuk është shtet i barazisë dhe i mirëqenies së qytetarëve, por edhe e dinim që banorët e këtij shteti janë banorë që e duan barazinë dhe mirëqenien e përgjithshme. Ne i kontaktuam të afërmit, shokët dhe biznesmenët e ndryshëm ku arritëm t’i grumbullojmë 3530€ të holla dhe materiale të ndryshme si dhe mjeshtër vullnetarë që t’ia përfundonim shtëpinë në prag të muajit të shenjët të Ramazanit, që sadopak t’ua lehtësojmë vuajtjet kësaj familje”, thotë Haziri.

Ai falënderon të gjithë ata që ndihmuan në këtë iniciativë në çfarëdo mënyre.

“Vetëm Zoti mund t’i shpërblejë për këtë kontribut që ata dhanë në ngjalljen e shpresave për një jetë të re të kësaj familje, sidomos në gëzimin e zonjës së shtëpisë dhe lus Zotin e Madhërishëm që ta shërojë atë sa më shpejt”, thotë Haziri.

“Ne për të qenë transparent do t’i publikojmë listat e të gjithë donatorëve në çfarëdo mënyre që na ndihmuan dhe në fund dëshiroj t’ua sqaroj të gjithëve, se e gjithë kjo nuk është bërë për ndonjë përfitim politik apo diçka tjetër, siç mund të mendojë ndokush. Le të jemi prej atyre që ia lehtësojmë hallet njëri-tjetrit dhe lus Zotin që të na shpërblejë për qëllimin që e kemi pas. Emrin e familjes dhe vendin nuk e kemi bërë publike me të vetmin qëllim që ta ruajmë krenarinë e familjarëve”, thotë Haziri.