12:38 / E Shtunë, 12 Maj 2018 / indeksADMonline

Familjarët e turqve të deportuar kërkojnë drejtësi dhe azil në Kosovë

Sevda Günakan nuk e ka parë babanë e saj, që nga koha kur është arrestuar dhe deportuar nga Kosova për në Turqi në fund të muajit mars.

Ai ishte arrestuar gabimisht nga Policia e Kosovës, ditën kur u arrestuan edhe pesë shtetasit tjerë turq të kërkuar nga autoritetet e Ankarasë.

Hasan Hüseyin Günakan në Turqi po akuzohet për terrorizëm, njësoj si edhe të arrestuarit e tjerë.

Vajza e tij, e cila vazhdon të qëndrojë në Kosovë, e quan skandal të madh arrestimin gabimisht të babait të saj.

“Ka qenë një skandal që janë deportuar ata atje, mirëpo ka qenë edhe një skandal i dytë më i madh kur babai im është marrë gabimisht për shkak të ngjashmërisë së emrit. Kemi dëgjuar se menjëherë pasi e kanë arrestuar e kanë kuptuar që është person tjetër. Mirëpo, kur këta i kanë pyetur autoritetet e Turqisë, ata kanë thënë se nuk ka lidhje, sepse edhe ky ka qenë punëtor i kësaj shkolle”, thotë Sevda Gunakan.

Emri i babait të saj, Hasan Hüseyin Günakan, ishte shumë i ngjashëm me personin që ishte në kërkim.

Hasan Hüseyin Demir ishte ai që do të duhej të arrestohej në vend të babait të saj.

Sevda Gunakan thotë se që nga arrestimi nuk ka komunikuar fare më me të atin dhe se ende nuk mund ta besojë atë që ka ndodhur.

“Ne kemi ardhur në vitin 2005 në Kosovë dhe që atëherë jemi duke punuar dhe vepruar këtu. Kemi ardhur këtu, sepse e kemi dashur Kosovën. Unë vetëm për studime kam shkuar në Turqi dhe jam kthyer përsëri këtu. Shumë e kemi dashur Kosovën, mos ta kishim dashur nuk do të jetonim qe 13 vjet këtu”, thotë Gunakan.

Familjarët që vazhdojnë të jenë në Kosovë, kanë frikë se një ditë edhe ata do të kërkohen nga Turqia.

Sipas tyre, e vetmja shpresë që të jetojnë të lirë në Kosovë, është pranimi i kërkesës për azil. Shumë prej tyre tashmë kanë kërkuar azil në Kosovë, thotë Kujtim Kastrati, jurist i Qendrës Arsimore Gylistan.