11:46 / E Martë, 14 Gusht 2018 / indeksADMonline

Familjarët ende nuk kanë informacione pse u arrestua Ibrahim Matoshi

Familjarët e Ibrahim Matoshit ende nuk kanë informacione pse familjari i tyre u arrestua dje nga policia serbe derisa ishte duke u kthyer në Gjermani, pas pushimit që e kishte kaluar në Kosovë.

Mërgimtari nga Gjermania me profesion stomatolog, Ibrahim Matoshi, është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga ana e policisë serbe, në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

Familjarët e Matoshit e kanë raportuar rastin në KALLXO.com.

Ibrahim Matoshi është nga Vërbica e Kmetocit.

KALLXO.com ka kontaktuar me vëllain e Ibrahimit, Musliun, i cili tha se ende nuk kanë marrë ndonjë informatë të saktë se për çfarë është arrestuar i vëllai.

“Ne familjarët nuk jemi në dijeni ende zyrtarisht se për çfarë është arrestuar. Jemi duke pritur për ndonjë informacion në të njëjtën kohë po merret edhe Ambasada e Gjermanisë në Beograd”, tha Musliu për KALLXO.com.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar mbrëmjen e kaluar pas lajmit të publikuar nga KALLXO.com për arrestimin nga Policia serbe të mërgimtarit Ibrahim Matoshi nga Vërbica e Kmetocit te pika kufitare e Dheut të Bardhë.

“Ndalimet dhe arrestimet e vazhdueshme të shtetasve të Republikës së Kosovës nga shteti fqinj mund të vlerësohen si një gjueti shtrigash nga autoritetet e këtij shteti dhe praktika të politikave të Millosheviqit”, ka thënë MPJ.