15:35 / E Enjte, 30 Gusht 2018 / indeksADMonline

Fatmir Limaj flet për akuzën e ryshfetit tre milionësh

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj i cili nëjherit është edhe zëvendëskryeministër i vendit është deklaruar lidhur me akuzën e ryshfetit tre milionësh.

Zëvendëskryeministri Limaj, e ka mohuar secilin pretendim të kësaj bisede. Ai ka thënë shkurt se kurrë në jetë nuk e ka takuar, Ilir Krasniqin dhe as që e njeh personalisht.

“Kurrë nuk e kam takuar. Kurrë nuk kam biseduar për këto çështje. Të gjitha këto pretendime janë të pavërteta”, ka thënë Limaj për Insajder.

Një audioincizm i bërë në mënyrë të fshehtë nga Milaim Zeka, hedh dyshime të rënda mbi Fatmir Limajn dhe punën e tij si ministër.

Incizimi i bisedës mes deputetit të Nismës, Milaim Zeka dhe ish-partnerit të tij të biznesit me viza, Ilir Krasniqi, zbulon detaje të errëta të një takimi në mes Limajt, aso kohe ministër i Transportit dhe dy biznesmenëve gjermanë të interesuar për të investuar në Kosovë.

Me gjithë përmbajtën e rëndë të incizimit, biseda zhvillohet mes dy tashmë të akuzuarve për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi.

Në atë takim, sipas Ilir Krasniqit, Limaj u kishte kërkuar tre milionë euro ryshfet në mënyrë që t’u lehtësoheshin procedurat e investimeve dy biznesmenëve gjermanë. Do të investohej në një fabrikë me qymyr.

Krasniqi, i tregon Zekës se takimi ishte zhvilluar në fillim të mandatit të Limajt, si ministër në vitin 2008. Sipas tij, takimi ishte mundësuar nga ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tashmë njëri prej drejtuesve të Nismës Socialdemokrate.