10:53 / E Hënë, 19 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Festë pa incidente, deklarohet Policia e Kosovës

Asnjë incident nuk është evidentuar nga Policia e Kosovës gjatë festimit të përvjetorit të 10 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zyrtarët policor, të cilët këto ditë feste ishin prezent më shumë në rrugë e sheshe, kanë thënë për Indeksonline se festa ka kaluar pa incidente.

“Gjatë këtyre ditëve të festimeve për nder të shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, situata e sigurisë dhe rendit publik e ndërlidhur me festimet dhe aktivitetet organizative në përgjithësi ka qenë e qetë, ka kaluar mirë dhe nuk janë shënuar incidente që kanë mundur të ndikojnë në mbarëvajtjen e aktiviteteve manifestuese”, ka thënë për Indeksonline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Gjithashtu Hoxha ka shtuar se jashtë procesit festiv, janë evidentuar incidente të natyrave të ndryshme, por të cilat incidente janë menaxhuar nga Policia e Kosovës sipas procedurave ligjore të parapara.

“Gjatë ditëve festive edhe gjendja në trafikun rrugor ka qene më e qetë se herëve tjera, nuk ka pasur aksidente fatale, si dhe numri i aksidenteve me lëndime trupore dhe me dëme materiale ka qene i një trendi në rënie, respektivisht ka pasur më pak aksidente rrugore”, ka shtuar Hoxha.

Ndër të tjerash Policia e Kosovës kishte organizuar një plan të veçantë operativ, që sipas Hoxhës është realizuar me sukses.

“Policia e Kosovës ka realizuar me sukses planin e saj të veçantë operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbajtjen e rendit gjatë zhvillimit të aktiviteteve manifestuese për shënimin e vitit jubilar të shtetësisë së vendit, dhe njëkohësisht falënderojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, institucionet dhe gjithë mysafirët pjesëmarrës tjerë në këto aktivitete për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e shfaqur me autoritetet e rendit në aspektin e sigurisë gjatë gjithë këtij procesi”, ka përfunduar Hoxha./Indeksonline/