23:32 / E Enjte, 21 Qershor 2018 / indeksADMonline

FIFA gjobit Serbinë

FIFA gjobiti Federatën e Futbollit të Serbisë me rreth 8.500 euro për shkak se tifozët serbë u sollën në mënyrë ofenduese gjatë ndeshjes të së dielës me Kosta Rikën, të cilën Serbia e fitoi me rezultatin 1-0.

FIFA e njoftoi vendimin e saj të mërkurën në mbrëmje. Federata e Futbollit e Serbisë nuk e komentoi dënimin deri në kohën e publikimit të lajmit.

E përditshmja Blic njoftoi se gjoba ishte vendosur për shkak se tifozët serbë “u sollën në mënyrë të papërshtatshme dhe shfaqën mesazhe politike” gjatë ndeshjes me Kosta Rikën më 17 qershor.

FIFA tha se tifozët serbë kishin mbajtur një “banderolë ofenduese dhe politike” të kohës së Luftës së Dytë Botërore në këtë ndeshje.

Raportet shtuan se Komiteti Disiplinor i FIFA-s analizoi të gjitha rrethanat specifike të rastit dhe kishte përfshirë një raport nga vëzhguesit e ndeshjeve kundër diskriminimit që FIFA përfshiu për herë të parë në Kupën e Botës.

Meksika u urdhërua të paguante një gjobë të ngjashme, sepse tifozët e saj ofenduan portierin e Gjermanisë dhe brohoritën mesazhe homofobike gjatë ndeshjes të së dielës me Gjermaninë, të cilën Meksika e fitoi me rezultatin 1-0. (reporter.al)