12:07 / E Diele, 19 Gusht 2018 / indeksADMonline

Finalja e madhe, Fededer e Djokovic kërkojnë trofeun në Sinsinati

Pas 20 muajsh (që nga Australian Open 2016), do të përballen mes tyre dy nga tenistët më të mirë në botë, zvicerani Roger Federer dhe serbi Novak Djokovic, këtë herë në finalen e turneut Masters të Sinsinatit. Një finale që e prisnin të gjithë, dy tenistë që gjithnjë kanë dhuruar spektakël në ndeshjet e tyre. Federer dhe Djokovic janë përballur 45 herë mes tyre, me serbin që udhëheq 23-22 në përballjet direkt.

I pari që siguroi një biletë për në finale ishte Novak Djokovic, që mundi 2-1 (6-4,3-6, 6-3) kroatin Marin Cilic, në një ndeshje ku tenistët luajtën me hope. Serbi e nisi më mirë ndeshjen, duke fituar setin e parë, por në të dytin uli ritmin dhe kroati arriti të barazpeshojë shifrat. Por seti i tretë riktheu në fushë një Djokovic në super-formë, duke fituar 6-3 dhe krejt ndeshjen 2-1. Djokovic do të kërkojë në finale suksesin e parë në Sinsinati në karrierën e tij.

Përballë tij është Roger Federer, që ka fituar në Sinsinati 7 herë në karrierën e tij, nuk humbet në këtë turne prej 15 ndeshjesh (ka fituar në vitet 2014- e 2015, por nuk mori pjesë në dy edicionet e fundit). Në gjysmëfinale ai eliminoi belgun David Goffin, që në fakt u tërhoq në setin e dytë, në shifrat 1-1 me “game” (Federer fitoi 7-6 setin e parë). Goffin pati një problem në shpatullën e djathtë, që e detyroi të tërhiqet dhe i dha mundësi zviceranit të pushojë disi, pas dy ndeshjeve të luajtura dhe fituara të premten.