12:54 / E Enjte, 22 Mars 2018 / indeksADMonline

Flamur Mrasori emërohet kryetar i Bordit të BQK-së

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës sot me shumicë votash zgjodhi Prof. Dr. Flamur Mrasori për Kryetar të Bordit të BQK-së.

Mrasori ka punuar në BQK për mbi 11 vite ku ka ushtruar funksione të rëndësishme, përfshirë funksionin e Sekretarit të Bordit Ekzekutiv të BQK-së dhe të Këshilltarit të Guvernatorit. Gjatë periudhës së shërbimit të tij në BQK, ai ishte I përfshirë në të gjitha proceset e rëndësishme për realizimin e objektivave të  BQK-së.

Si kryesuesi Komisionit për Integrime Evropiane të BQK-së, Mrasori ishte pjesëmarrës në procesin e dialogimit të  MSA-së ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Po ashtu, Mrasori ishte pjesëmarrës i rregullt i delegacionit të BQK-së në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Po ashtu, dy here ka qenë Zëvëndësguvernator I përkohshëm I Republikës së Kosovës në FMN gjatë takimeve vjetore.

Mrasori është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Më datë 26 janar 2018 është zgjedhur nga Kuvendi I Republikës së Kosovës dhe më datë 5 shkurt 2018 është emëruar nga Presidenti I Republikës së Kosovës në pozitën anëtar joekzekutiv I Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.