15:03 / E Diele, 10 Qershor 2018 / indeksADMonline

Flamuri i Kosovës i ulur në gjysmështizë edhe në Londër

Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për vdekjen e Fadil Vokrrit, me vendim të presidentit Hashim Thaçi, sot  flamujt shtetëror janë në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Flamuri në gjysmështizë është edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër. Ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Lirim Greiçevci është tejet i pikëlluar nga vdekja e legjendës së futbollit Fadil Vokrri.

“Tejet të pikëlluar nga vdekja e legjendës sonë të futbollit. Fadil Vokrri nuk ishte vetëm sportist kulmor, ai ishte edhe diplomat par excellence. Falë tij, ne sot jemi të barabartë në arenat evropiane dhe botërore të futbollit. Do ta kujtojmë përherë! Faleminderit dhe pusho i qetë, Legjendë!”, ka shkruar Greiçevci në rrjetet sociale./Indeksonline/