09:17 / E Martë, 16 Janar 2018 / indeksADMonline

FMN-ja reagon për rritjen e rrogave

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, e ka parë me shqetësim vendimin për rritjen e pagave të stafit politik nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Në një intervistë për gazetën ‘Zëri’, Vermeulen ka thënë se ky vendim mund t’i nxisë apetitet e sektorëve tjerë për rritje pagash, si dhe ky vendim nuk është i paraparë me buxhetin e vitit 2018.

Çdo rritje e pagave, përveç asaj që FMN-ja është pajtuar me Qeverinë e Kosovës, sipas Vermeulen do t’i minonte mundësitë që të këtë rritje të punësimit në sektorët primarë, siç është shëndetësia, arsimi dhe gjyqësori.

Në këtë intervistë shefi i FMN-së flet edhe për tendencat në rritje të numrit të veteranëve, për paralajmërimet rreth rritjes së pagës minimale dhe për nënshkrimin e kontratës nga Qeveria për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Po ashtu Vermeulen ka thënë se FMN-ja është e shqetësuar për një rritje kaq të mprehtë të pagës minimale, pasi kjo do të dëmtonte tej mase përpjekjet e vazhdueshme të reformave që synojnë reduktimin e shkallës së lartë të papunësisë dhe të joformalitetit duke dekurajuar punësimin e punëtorëve me profil të ulët dhe të të rinjve.