14:32 / E Enjte, 01 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Forcat e Sigurisë së Kosovës, institucioni më i besueshëm

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) bëri publikimin e edicionit të shtatë të Barometrit Kosovar të Sigurisë dhe sipas rezultateve doli që FSK-ja është institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend. 78% e qytetarëve të vendit të anketuar e besojnë FSK-në. Besueshmëria nga viti i kaluar ka shënuar rritje në masën prej 11%. Kjo gjë ka ndikuar edhe në rritjen e besueshmërisë në veri të vendit tonë.

Në paraqitjen e rezultateve të hulumtimit të Barometrit Kosovar të Sigurisë nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës morën pjesë zëvendësministri zotëri Burim Ramadani dhe drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, shoqëria civile, mediat etj.

Pas publikimit të rezultateve, zëvendësministri i FSK-së, zotëri Ramadani u shpreh: “Profesionalizmi, diversiteti etnik, angazhimi i pakursyer për qytetarët, aktivitetet e shumta humanitare, mbështetja për autoritetet civile në nivel qendror e lokal, si dhe shumë faktorë të tjerë kanë bërë që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të ruajë primatin dhe të rrisë besueshmërinë e qytetarëve ndaj saj Kjo është krenari për institucionin, pjesëtarët e saj, Kosovën në tërësi dhe partnerët mbështetës ndërkombëtarë”.

Sipas Barometrit Kosovar të Sigurisë, Forca e Sigurisë së Kosovës, në anketimin e qytetarëve të Kosovës në fundin e vitit 2017, ka dalë e para me 78%, ndërsa sipas rajoneve ka dalë që qytetarët e rajonit të Mitrovicës, të pjesës jugore e besojnë më së shumti FSK-në, në shkallën 86%, ata të Prishtinës me 84% pasuar nga ata të Pejës e me radhë.