21:12 / E Shtunë, 18 Gusht 2018 / indeksADMonline

Fshati i ngjitur për kryeqytet, por s’ka ujësjellës, rrugë të asfaltuar e as transport urban

Një kalimtar i rastit nuk mund ta vërejë ku përfundon Prishtina e ku fillon fshati Zllatar, por afërsia e këtij fshati me kryeqytetin nuk i ka shërbyer pothuaj asgjë për të mirë.

Fshati që gjendet katër kilometra nga kryeqendra e Prishtinës, nuk ka rrugë të asfaltuar, transport urban e as ujësjellës.

Banorë të këtij fshati, të cilët nuk pranuan të dilnin para kamerës së Kallxo.com treguan se për ata këto problem janë të kahmotshme.

Ata treguan se konsumojnë ujë me rënie të lirë nga burime të natyrshme të bjeshkëve përreth, kurse projekti i Komunës së Prishtinës që ka qenë për rregullimin e rrugës në këtë fshat ka përfunduar aty ku përfundon Matiqani.

Përfaqësuesi i fshatit Zllatar, Ismet Haziri tha se institucionet nuk kanë parë arsye të zgjidhjes së problemeve dhe se projektet në të mirë të qytetarëve përfundojnë aty ku përfundon fushata elektorale.

“Fatkeqësisht problem i transportit urban i banorëve të Zllatarit është i kahershëm, është i lidhur që nga mandati i dytë i Isa Mustafës e këndej, ku institucionet komunale nuk kanë gjetur një arsyeshmëri që ta zgjidhin këtë problem, mendoj se nuk është mirë që gjërat të lidhen me politikën por fatkeqësisht duke e parë kulturën politike shihet se në momentet e përfundimit të fushatave përfundojnë projektet për qytetarët dhe kthehen te projektet puro- partiake” tha Haziri.

Ai tregoi se ky problem i prek veçanërisht nxënësit e fshatit, të cilët udhëtojnë rreth dy kilometra me transport të paguar nga prindërit e tyre.

“Është një rrugë goxha në gjendje të mjerë, kemi edhe problemin e ujësjellësit gjë që është jo e drejtë një para lagje e Prishtinës sot të mos i gëzojë një të drejtë elementare qytetare për banorët e vet veçanërisht kisha me potencu për nxënësit, të cilët udhëtojnë gati dy kilometra dhe çdo prind është i obliguar pavarësisht nga numri i fëmijëve që ka, të paguaj një transport të veçantë deri te shkolla” tregoi Haziri.

Ai thotë se komuna krahas rritjes së numrit të banorëve në Zllatar, komuna ka investuar shumë pak në infrastrukturë.

“Zllatari më nuk është vetëm lagje e banorëve të Zllatarit aty tani më dita- ditës po zhvillohet një lagje e tërë, po rritet numri i banorëve, veçanërisht është një pjesë e mushkërive të Prishtinës ku freskinë dhe kreativitetin e vet e gjejnë banorë e Matiçanit, Matit 1 pse jo edhe qytetarët e Prishtinës, prandaj sikur të kishte një transport të rregullt urban besoj se do të kishin qenë shumë më afër pyjeve të bukura të Zllatarit” tregoi Haziri.

Përfaqësuesi i fshatit tha se disa herë kanë bërë kërkesë në Komunën e Prishtinës, por nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre pasi sipas tij janë të fokusuar aty ku kanë interesa të tjera dhe jo në problemet e qytetarëve.

Haziri tregoi se fshati Fshati Zllatar para luftës së fundit në Kosovë kishte pasur linjë autobusi, nëntë herë në ditë, kjo ka vazhduar edhe pas përfundimit të luftës një kohë dhe asnjëherë më tutje.

Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës të kontaktuar disa herë nga mediumi nuk kanë qenë të qasshëm për t’u përgjigjur në pyetjet për hallet e banorëve të Zllatarit.