19:31 / E Shtunë, 10 Shkurt 2018 / indeksADMonline

FSK-ja pret politikën për t’u bërë ushtri

Komandanti i FSK-së thotë se kjo forcë është gati për t’u bërë ushtri, por mostransformimin e llidh me politikën.

 “FSK-ja është e gatshme që ta kryejë obligimin e vet, kurdo që të merret vendimi politik do të jemi të gatshëm. I kemi bërë planet tona- është një plan afatmesëm dhe afatgjatë. FSK-ja ka kapacitet dhe mundësi të fillojë implementimin e atyre planeve”, thotë komanndanti i FSK-së Rrahman Rama për rtv21.tv.Ai kërkoi që secili ta japë kontributin e vet që transformimi të ndodhë.

“Është njëlloj apeli që secili ta japë kontributin e vet. Ky institucion dhe shndërrimi i tij është në të mirën e qytetarëve dhe të vendit”, tha Rama.

Ismet Beqiri, anëtari i Komisionit për Siguri themelimin e ushtrisë e sheh vetëm nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

“Ne nuk e kemi përkrahjen që kjo të ndodhë pa ndryshime kushtetuese, prandaj po pajtohem që politika duhet ba punën e vet, por kjo do të ndodhë vetëm kur kemi një përkrahje, një partneritet dhe një mbështetja nga ata që na kanë mundësue këtu ku jemi të jemi sot”, hotë Beqiri.

Ndërsa anëtari tjetër i këtij komisioni Rexhep Selimi nuk e sheh si problem emrin, por thotë se FSK-ja duhet të ketë kompetenca të ushtrisë.

“E drejta e Listës Serbe krijon një të drejte të vetos. Duke qenë në këtë situatë, duke qenë kjo pengesa kryesore për shndërrimin e FSK-së në forcë të armatosur, ne nuk duhet të kalojmë nëpër një shteg të mbyllur, duke pasur shtigje të tjera të hapura”, shpjegon Selimi.

Ai konsideron se “duhet ta bëjmë atë çfarë mund ta bëjmë dhe ta synojmë atë çfarë duam ta synojmë”, duke shpjeguar se FSK-ja edhe me mandatin që ka mund të pajiset më mirë dhe të ketë më shumë buxhet.

Por as Beqiri e as Selimi nuk besojnë se FSK-ja do të bëhet ushtri sivjet, ashtu siç ka deklaruar Presidenti Hashim Thaçi.

Komandanti i FSK-së Rrahman Rama kur foli për rtv21.tv, duke mos komentuar qëndrimin e Listës Serbe kundër transformimit, tha se FSK-ja është multietnike dhe serbët janë integruar mirë në të dhe nuk kanë kurrfarë problemesh.