09:10 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

FSK në fund të vitit FAK, shtohet numri i ushtarëve!

Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është proceduar në Kuvend, ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.

E ky proces, pritet që të përfundohet brenda këtij viti. Kështu ka thënë për “Indeksonline” Zëvendësministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani.  Ai ka theksuar se ky proces nuk ka qasje emergjence, por qasje të rregullt të procedurave parlamentare.

“Qeveria e Kosovës ka proceduar në procedurë të rregullt tri draft-ligjet që mundësojnë transicionin e FSK-së. Nuk ka qasje emergjence, por qasje të rregullt të procedurave parlamentare për të mundësuar që ligjet të miratohen në Kuvendin e Kosovës në afat të rregullt. Kësisoj, duke pasur parasysh procedurat parlamentare, pres që gjatë këtij viti të miratohen ligjet në Kuvend.” ka theksuar Ramadani.

Sipas tij, i tërë ky procesi i shndërrimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është i bazuar në Planin Afat-Gjatë, ku pritet që të shtohet numri i ushtarëve dhe të plotësohen kushtet e tjera që e kompletojnë procesin. Ndonëse në tërësi i tërë procesi do të përmbyllet mbas 10 viteve.

“Transicioni i FSK-së do të fillojë pas miratimit të ligjeve në Kuvend. E tëra është e bazuar në Planin Afat-Gjatë, të njohur si Plani 10 vjeçar, një plan plotësisht transparent dhe i bashkërenduar me shtetet partnere të Kosovës.” është shprehur Zëvendësministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani.

Kurse, sa i përket kostove Ramadani ka theksuar se kostoja e këtij procesi është në përputhje me buxhetin e Kosovës.

“Kosto buxhetore do të jetë në përputhje me mundësitë që ka Buxheti i Kosovës, por pa rrezikuar programet tjera institucionale dhe qeverisëse. Për çdo vit do të ketë buxhet shtesë, porse këtu nuk përfshihen donacionet e shteteve partnere, në kuadër të marrëdhënieve bilaterale tashmë të avancuara” ka përfunduar ai.

Kurse, edhe ish-komandanti i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati është shprehur se formimi i ushtrisë duhet të përfundohet brenda këtij  viti. Madje, procedimin e tij në Kuvend e ka konsideruar si hapin e duhur, duke theksuar se ky proces nuk do mund të ndodhte asesi me ndryshime kushtetuese për shkak të deputetëve serb.

“Transformimi i FSK-së në ushtri apo në forca të armatosura. Unë besoj që ka me ndodh këtë vit, për arsye që qeveria ka bo një hap të duhur që ka proceduar ligjet në Parlament. Unë mendoj dhe e kam deklaruar shumë herë përpara që me ndryshime kushtetuese nuk mundet me ndodh, për shkak që serbët nuk do ta votojnë pasi që duhen dy të tretat e dyfishta dhe duhet të ndodh transformimi i kësaj force në ushtri”.

Kastrati ka theksuar se me formimin e ushtrisë duhet të shtohen edhe kapacitetet e saj, ku kjo forcë duhet të ketë 5000 ushtarë aktiv dhe 3000 rezervë. Madje ai ka vënë në pah se, forcë është e mjaftueshme për nevojat e Kosovës, për t’i mbrojë interesat, integritetin territorial dhe për të marr pjesë në operacione me NATO-në.

“…me planin që është bërë në vitin 2013, kjo forcë duhet ti ketë 5000 aktivë dhe 3000 rezervë. Tash forca i ka 2500 aktivë dhe 800 rezervë, por duhet të shtohet pjesa aktive për 100% dhe pjesa rezervë të shtohet për 2200 persona” është shprehur ai.

Po ashtu, edhe ushtaraku Kastrati tha se kjo forcë nuk do mund të arrij kapacitetin e saj shpejtë, dhe për tu kompletuar duhen  7 deri në 10 vite.

“Kjo forcë nuk mund të krijohet brenda një viti, pra nuk mund të arrij gjithë kapacitetin e saj operacional brenda një viti por duhet minimumi 7 deri 10 vjet që të zhvillohet dhe për 7-10 vjet Kosova me ekonominë e vet mundet me i përballu të gjitha ato nevoja që i ka ushtria e Kosovës” ka përfunduar ish-komandanti i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.

Rikujtojmë që Qeveria ditë më parë ka proceduar projektligjin për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës./Indeksonline/