19:18 / E Shtunë, 16 Qershor 2018 / indeksADMonline

Fushata e Policisë shqiptare ‘Mos konsumoni alkool nëse jeni në timon’

Policia shqiptare ka nisur një fushatë për të vetëdijesuar shoferët në komunikacion.

Në vazhdën e aktiviteteve të saj, Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të parandaluar aksidentet rrugore me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.

“Jo vetëm Policia Rrugore, por edhe Patrullat e Përgjithshme si dhe Shqiponjat, një ndër prioritetet e punës së tyre kanë parandalimin e aksidenteve rrugore, duke evidentuar dhe ndëshkuar çdo shkelje të Kodit Rrugor. Por Policia nuk ka qëllim në vetvete vendosjen e masave administrative, por sensibilizimin e të gjithë përdoruesve të rrugës, për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Ju sigurojmë se gjoba ose ndryshe masa administrative, nuk është qëllimi i Policisë. Qëllimi ynë është vetëm siguria e jetës në rrugë, respektimi i ligjit dhe jo ndëshkimi. Ndëshkimi është masa ekstreme dhe për këtë Policia e Shtetit ka ndërmarrë herë pas here fushata sensibilizuese dhe do t’i vazhdojë ato, për të ndërgjegjësuar të gjithë përdoruesit e rrugës, se siguria e jetës në rrugë vjen nga respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor”, ka njoftuar Policia e Shtetit.