17:18 / E Hënë, 12 Shkurt 2018

Gashi kërkon që remitencat e diasporës të shndërrohen në investime

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike përmes një komunikate për media ka njoftuar se zv. Se ministri Dardan Gashi, në ditën e fundit të vizitës në ShBA ka takuar edhe drejtorin e programit për remitenca dhe migrim në Bankën Botërore, Dilip Ratha dhe Sonia Plaza, ekonomiste e lartë me të cilët u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e strukturimit dhe remitencave të diasporës në shndërrimit e tyre në një model të zhvillimit ekonomik dhe social.

Gashi i informoi bashkëbiseduesit për projektet e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, posaçërisht ato që lidhen me investimet strategjike.

“Ne kemi një diasporë të madhe të shpërndarë në Evropë dhe ShBA dhe kontributi i kësaj diaspore në formën e remitencave është mbi një miliardë euro në vit. Ne i shikojmë ata si partnerë të rëndësishëm, investitorë serioz që mund ti kanalizojnë këto remitenca drejt projekteve të rëndësishme në Kosovë”, tha Gashi.

Zyrtarët e lartë të Bankës Botërore e informuan Gashin për disa programe në të cilat janë duke punuar,  në veçanti atë të krijimit të fondeve për diasporën, një model i cili është duke u aplikuar që nga viti 1951 në Izrael, ndërsa së fundmi ka filluar të aplikohet edhe në Nigeri.

“Ne mund të ju ndihmojmë duke ju ofruar eksperiencën tonë në krijimin e fondeve të tilla, regjistrimin e tyre, të kemi rol këshillëdhënës” , theksoi  Ratha.

Gashi dhe zyrtarët e Bankës Botërore, u dakorduan që në takimet vjetore që organizohen nga  BB, të jetë i ftuar edhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike për të prezantuar projektet dhe përvojat e deritashme. /Indeksonline/