13:22 / E Enjte, 12 Korrik 2018

Gashi: Lirimi i pesë serbëve të arrestuar, tregon ndikimin e politikës serbe në Kosovë 

Ditën e martë ishte organizuar një operacion nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ku u arrestuan pesë serb në fshatin Shillovë të Gjilanit. Por, nuk kaluan shumë orë kur të njëjtit pas intervistimit u liruan.

Kjo ndodhi vetëm pak orë pasi që Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i ka kërcënuar haptazi institucionet e Kosovës duke thënë se në rast se serbët nuk lirohen deri në mbrëmje, dialogu nuk do të vazhdojë.

Kurse lidhur me rastin, kryeprokurori i prokurorisë në Gjilan, Jetish Makoku tha për Indeksonline se janë konfiskuar disa materiale si fishek dhe armë, por që të intervistuarit janë liruar më pas.

Në një prononcim për Indeksonline, avokati Tomë Gashi the se këta persona u liruan për shkak të ndikimeve politike serbe mbi politikën kosovare, më saktë nga Marko Gjuriq.

“Unë mendoj se faktet për arrestimin e pesë ish policëve serb të strukturave paralele apo kushdo që kanë qenë, ditën e djeshme kanë qenë të arsyeshme dhe është bërë edhe pas sigurimit të provave kundër tyre që e vërtetojnë”,  tha avokati Gashi.

Ai ka kritikuar edhe autoritetet kosovare, duke thënë se është një katastrofë mënyra se si luhet me to.

“Është një katastrofë se si luhet me autoritetin e Policisë së Kosovë, dhe me Prokurorinë e Gjykatat e Kosovës”,  ka përfunduar Gashi.

Ndryshe, për këtë çështje pati reaguar ashpër edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, duke thënë se arrestimi me pompozitet dhe lirimi i menjëhershëm i “kërcënuesve të sigurisë nacionale” është diletantizëm i dorës së parë.

Madje Deda ka krahasuar këtë rast edhe me korrupsionin dhe krimin e organizuar nga partitë politike, si “kërcënim të sigurisë nacionale”./Indeksonline/