15:56 / E Diele, 04 Mars 2018 / indeksADMonline

Gashi pas djegies së autobusit: T’u bëhet kontroll i rreptë kompanive

Pas djegies së një autobusi me mërgimtarë në kufirin Serbi-Kroaci, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga ana e Ministrisë së Diasporës.

Ministri, Dardan Gashi, ka kërkuar që t’u bëhet kontrollim më i rreptë kompanive që bartin udhëtarë në distanca të largëta.

“Me keqardhje dëgjuam lajmin për aksidentin, nga i cili është përfshirë në flakë autobusi i një kompanie turistike që ka bërë transportin e 29 pjesëtarëve të diasporës nga Gjermania për në Kosovë.Nga informatat e para që kemi marrë, ky aksident ka përfunduar pa fatalitete, që është një lajm i mirë”, shkruan në komunikatë, transmeton Indeksonline.

“Ekipi im në Ministri është në kontakt dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes dhe do të reagojmë nëse paraqitet nevoja. Kjo nuk është hera e parë që autobusë me bashkatdhetarë janë të involvuar në aksidente ku, si pasojë, rrezikohet jeta e udhëtarëve.“Kërkojmë nga institucionet relevante dhe Policia e Kosovës që të jenë më rigorozë gjatë kontrollimit dhe certifikimit të kompanive që posedojnë automjete për bartjen e udhëtarëve në distanca më të largëta. Njëherësh të lënduarve ju urojmë rikuperim të  shpejtë”, përfundohet në komunikatë./Indeksonline/