20:48 / E Diele, 21 Janar 2018 / indeksADMonline

Gjashtë ditë pas, Policia tregon se a ka të arrestuar për vrasjen e Ivanoviqit

Kanë kaluar tashmë gjashtë ditë që nga vrasja e liderit të Iniciativës Qytetare serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Edhe pas këtyre ditëve, Policia e Kosovës nuk ka arrestuar ende asnjë të dyshuar.

I kontaktuar nga Indeksonline, zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës,Besim Hoti ka thënë se deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar.

“Provat, dëshmitë dhe deklaratat janë në përpunim të vazhdueshëm”,ka thënë Hoti.

Duhet shtuar se hetimet lidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit para zyrës së tij në veri të Mitrovicës,  po bëhen nga institucionet e Kosovës.

Ndërkohë duhet shtuar se gjatë javës që shkoj Serbia ka kërkuar vazhdimisht të përfshihet në hetimet lidhur me vrasjen e tij.

Madje kërkesa të ndryshme ata kanë dërguar edhe tek EULEX-i dhe UNMIK-u në Kosovë, kërkesa këto që janë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë.

Indeksonline  pati kërkuar të marrë përgjigje edhe nga EULEX lidhur me kërkesën e Serbisë teksa këta të fundit kanë deklaruar se janë vetëm organet shtetërore të Kosovës ato që vendosin se kush do të bëjë hetimet për rastin e vrasjes së Ivanoviqit.

“Është në autoritetin e Kosovës dhe jo të EULEX-it të marrë një vendim se a do të mundet Serbia të bëhet pjesë e hetimeve lidhur me vrasjen e liderit serb, Oliver Ivanoviq. Ne nuk kemi kompetenca për të marrë një vendim të tillë”, thuhet në përgjigjen për Indeksonline nga Zyra për Media të EULEX-it në Kosovë.

Ndryshe lidhur me këtë çështje së fundi janë deklaruar edhe nga Qeveria e Kosovës, ku është thënë se nuk lejohet që organet shtetërore të Serbisë të përfshihen në hetimet që po zhvillohen rreth vrasjes së Ivanoviq.

Ndërkohë sot, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka thënë se nuk kanë shkëmbyer të dhëna zyrtare me Prishtinën, sa i përket rastit të vrasjes së Ivanoviqit.

“Deri tani nuk kemi asnjë shkëmbim zyrtar të informacioneve dhe nuk kemi marrë zyrtarisht informacione nga autoritetet hetuese”, ka Stefanoviq./