21:52 / E Martë, 10 Korrik 2018 / indeksADMonline

Gjykimi për vrasje të rëndë në Zveqan, drejt fundit

Në Gjykatën e Mitrovicës ka përfunduar gjykimi kundër të pandehurve Gjorgje Spahiq, i akuzuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Petar Peshiqit, i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë dhe Millosh Millovanoviqit, i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Prokurori i rastit, Ismet Ujkani dhe të akuzuarit në këtë rast kanë dhënë fjalën e tyre përfundimare në seancën gjyqësore.

Ndërkaq aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë për këtë rast pritet të shpallet më 11 korrik

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, thuhet se në qershor të vitit 2016 në Zveçan i akuzuari Petar Peshiq pas një fjalosjeje me të ndjerin Nikolla Angjelkoviq kishte nxjerrë nga brezi revolen dhe kishte shtënë në drejtim të tij duke i shkaktuar plagë në sy dhe në stomak. I plagosuri ishte dërguar në qendrën klinike në Kragujevc të Serbisë dhe si pasojë e plagëve të marra kishte vdekur pesë ditë më vonë.

Me këtë ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

Aktakuza e ngarkon edhe Gjorgje Spahiqin se pas një përplasjeje verbale me Gjorgje Angjelkoviqin me dashje kishte tentuar ta privojë nga jeta, duke shtënë shtatë herë në të me ç’rast i dëmtuari ka marrë lëndime në gjoks, bark dhe këmbë, duke rrezikuar kështu edhe jetën e personave të tjerë.

Me këtë i njëjti ka kryer veprën penale -vrasje e rëndë në tentativë.

Kurse i pandehuri Millosh Millovanoviq akuzohet për mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor, kanë dhënë fjalën e tyre përfundimtare të gjitha palët e përfshira në këtë procedurë.

Me rastin e dhënies së fjalës së tij përfundimtare prokurori Ismet Ujkani ka kërkuar nga gjykata aktgjykim fajësues për të akuzuarit.

Sipas Ujkanit gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar në tërësi se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat akuzohen.

Në fjalën përfundimtare të prokurorit Ujkani, thuhej se të akuzuarit Petar Peshiq dhe Gjorgje Spahiq, pasi që paraprakisht në kundërshtim me ligjin kanë poseduar armë, me dashje drekte kanë shtënë me armë, me ç’rast ka mbetur i vdekur Nikolla Angjellkoviq dhe i plagosur rëndë Gjorgje Angjellkoviq.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Gjorgje Spahiq, avokati Faruk Korenica tha se prokurori Ujkani nuk ka arritur të provojë se të akuzuarit me dashje direkte kanë kryer veprën penale me të cilën akuzohen.

Sipas avokatit Korenica, për kryerjen e veprave penale me të cilat ngarkohet i akuzuari Spahiq kërkohet dashja direkte e përcaktuar me nenin 21 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e që këtë sipas tij, gjatë këtij shqyrtimit gjyqësor, nuk ka arritur ta argumentojë prokuroria.

Korenica më pas duke i’u drejtuar trupit gjykues, u shpreh se konsideron se i mbrojturi i tij Gjorgje Spahiq, ka vepruar në mbrojtje të nevojshme apo sipas tij i njëjti mund të ngarkohet me veprën penale nga neni 180 “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” apo nga neni 181 “Vrasja nga pakujdesia”.

Avokati Korenica, në fund kërkoi nga trupi gjykues, që të akuzuarit Spahiq ti ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtit t’i mundësohet vazhdimi i shkollimit dhe përfshirja e tij në jetë normale.

Lirim nga akuza për veprën penale ”dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” në raport me të akuzuarin Millosh Millovanoviq ka kërkuar mbrojtësi i tij, avokati Rexhep Kaqaniku, me arsyetimin se prokuroria nuk ka arritur të argumentojë se i akuzuari Millovanoviq ka kryer këtë vepër penale.

Meqë i akuzuar Millovanoviq më parë ka pranuar fajësinë për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, avokati Korenica nga trupi gjykues kërkoi që i njëjti për këtë vepër të shpallet fajtor dhe të dënohet me dënim me gjobë, ngase sipas tij, edhe përmes këtij dënimi mund të arrihet qëllimi i dënimit.

Kurse fjala përfundimtare e përfaqësuesit të të dëmtuarve, avokatit Nebojsha Vlajic i është dorëzuar me shkrim trupit gjykues dhe e njëjta është lexuar nga ana e avokatit Vlajic për publikun në sallë në gjuhën serbe, mirëpo nuk është përkthyer në gjuhën shqipe nga interpreti gjyqësor.

Po ashtu, edhe fjala përfundimtare e mbrojtësit të të akuzuarit Petar Peshiq, avokatit Zhivojin Jokanoviq, e cila gjykatës iu dorëzua me shkrim, u lexua në gjuhën serbe nga ana e avokatit Jokanoviq, dhe nuk është përkthyer në gjuhën shqipe nga interpreti gjyqësor, përveç në pjesën e shtuar në fund nga avokati Jokanoviq, i cili në raport me rrezikshmërinë e jetëve të 25-30 personave të cilët kanë qenë prezent në vendin e ngjarje, tha se kjo sipas tij nuk qëndron duke cekur se përderisa nuk ka ndodhur vrasja sipas tij nuk ka vrasje, por i njëjti u shpreh se nuk mohon faktin se shtënia me armë është e rrezikshme.

Avokati Jokanoviq, në fund tha se në veprimet e të mbrojturit të tij, kanë ekzistuar vetëm elementet e veprës penale të “vrasjes”.

Pas përfundimit të dhënies së fjalës përfundimtare nga të gjitha palët, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Burim Ademi, konstatoi se ky shqyrtim gjyqësor ka përfunduar në tërësi, ndërsa shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 11 korrik.

Ndryshe për shkak të grevës në të cilën gjendet stafi administrativ i sistemit gjyqësor, për shkak të mungesës së procesmbajtëses e gjithë rrjedha e seancës është regjistruar nga vetë kryetari i turit gjykues Burim Ademi./kallxo.com

Temat: