22:35 / E Mërkurë, 11 Korrik 2018

Gottemoeller: Ushtria e Kosovës do të formohet sipas Kushtetutës

Zëvendës-sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller ka thënë se procesi i formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Është gjithashtu shumë e rëndësishme që Kosova të vazhdojë me proceset e saj të rëndësishme të reformave, që përfshin Forcën e Sigurisë plotësisht profesionale. NATO gjithmonë ka pasur qëndrimin, se në rastin e Forcave të Armatosura të Kosovës, ky proces duhet të kryhet në mënyrë kushtetuese, sipas procedurave kushtetuese. Ne do të vazhdojmë të punojmë me zyrtarët në Kosovë për këtë çështje. Nga Samiti do të shihni dokumentet që do të dalin në ditët në vijim, për të vazhduar t’i mbështesim operacionet e KFOR-it në Kosovë. Ne mendojmë se janë shumë të rëndësishme për vazhdimin e forcimit të sigurisë në rajon, por edhe për të ndihmuar në ndërtimin e profesionalizmit në kuadër të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Gottemoeller për Tanjug, para fillimit të samitit të NATO-s në Bruksel.