23:15 / E Premte, 17 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Granit Xhaka rrëfen dramën e jetës së tij për “The Guardian”

Mesfushori i Arsenalit flet për përballjen me Tottenhamin, përse Londra i kujton fëmijërinë e tij dhe pse beson se forca e tij mendore vjen nga historia e babait të tij si i burgosur politik në ish-Jugosllavi.

Është historia që e ka formuar Granit Xhakën dhe që ka ushqyer personalitetin e zjarrtë brenda tij. Detajet janë të ashpra, mezi të kuptueshme, dhe është e çuditshme se si mesfushori i Arsenalit mund t’i artikulojë ato. Pastaj, ashtu si babai i tij, Ragipi – i cili kaloi tri vjet e gjysmë si i burgosur politik në Jugosllavi – Xhaka nuk është një njeri që fshihet.

“Me sa di unë, muajt e parë të tij në burg ishin në rregull,” thotë Xhaka. “Por pastaj filluan torturat.”

“Krimi” i babait të Granit Xhakës ishte pjesëmarrja në demonstrata kundër qeverisë qendrore komuniste në Beograd.

 

Ishte viti 1986 dhe ai ishte një student 22-vjeçar në Universitetin e Prishtinës në Kosovë, e cila asokohe ishte një krahinë autonome në Jugosllavi. Ai do të arrestohej dhe do të mbahej në burg për më shumë se tri vjet.

“Si biri i tij, kjo është një histori që më prek shumë thellë – është me të vërtetë në zemrën time”, thotë Xhaka. “Për ta përshkruar babain tim siç duhet, ju duhet të vlerësoni atë thellësisht. Është kaq tragjike. Ndonjëherë e pyes: ‘Më trego përsëri’, sepse unë ende mendoj se ai s’i ka zbuluar të gjitha. Ka patur gjithmonë momente të heshtura, ku unë kam parë se ai ka gëlltitur diçka dhe nuk ka zbardhur të vërtetën. Ndoshta ishte e shumtë dhe ai donte t’i kursente fëmijët e tij nga pikëllimi.”

“Ai ishte një kosovar krenar dhe mendonte se ata kishin të drejtë të ekzistojnë. Ai po qëndronte në këmbë për të drejtat e tyre dhe ishin të drejta themelore demokratike, siç është mundësia për të votuar. Nuk ishte vetëm ai. Ishin arrestuar edhe të tjerë, përfshirë xhaxhain e tij, i cili ishte burgosur disa vite më përpara. Ai qëndroi 15 vjet në burg. Ishin burgime krejtësisht politike. Babai im po pyeste veten: ‘Pse nuk kemi demokraci këtu? Ne meritojmë të jemi demokratë. Ne meritojmë që zëri ynë të dëgjohet’”.

 

Ta kuptosh Xhakën, do të thotë ta kuptosh familjen e tij; se si ata kanë vuajtur, se si ata kanë qëndruar të bashkuar dhe se si kanë punuar pa u lodhur për të arritur në jetë.

Parimet e tij janë besnikëria dhe respekti. Kur ai bën diçka, ai e bën atë me zemër dhe me shpirt – ashtu si babai i tij dhe ashtu si nëna e tij, Eli pwrkthen Insajderi.

“Një nga detajet më interesante në lidhje me prindërit e mi është se ata u bashkuan me njëri-tjetrin vetëm tre muaj para arrestimit të babait tim”, thotë Xhaka, shkruan Insajderi. “Kam një respekt të pabesueshëm për nënën time. Unë kurrë nuk kam dëgjuar për një grua që ka qenë me një burrë për vetëm tre muaj – në atë moshë të re – dhe që pastaj e ka pritur atë për tri vjet e gjysmë. Nëna ime është thjesht një person i pabesueshëm.”