23:47 / E Mërkurë, 01 Gusht 2018 / indeksADMonline

Greiçevci falënderon ambasadoren britanike në OKB për mbështetjen që po i jep Kosovës

Ish ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci ka falënderuar Karen Pierce, ambasadore britanike në OKB dhe mike e hershme e Kosovës, e cila u tregua shumë e vendosur si Kryesuese e Këshillit të Sigurimit, për t’i mënjanuar raportimet e panevojshme dhe kundërproduktive në OKB, ku Kosova trajtohej si vend i administruar nga UNMIK-u dhe arenë e përhapjes së akuzave publike kundër Kosovës nga ana e Serbisë dhe aleatëve të saj.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së padyshim duhet të merret me shumë kriza të shumta në botë, e jo të merret me Kosovën, e cila tashmë është shtet i pavarur dhe sovran. Natyrisht, duhet të jemi mirënjohës ndaj OKB-së e cila ka kontribuar shumë në ndërtimin e institucioneve të reja të Kosovës”, ka shkruar Greiçevci në profilin e tij në Facebook.


(Në foto Greiçevci me ambasadoren Karen Pierce gjatë pritjes së Ditës së Pavarësisë, në Londër, në shkurt të këtij viti, e cila, në cilësinë e atëhershme të Drejtoreshës Politike në Foreign Office, mbajti një fjalim shumë të ngrohtë, duke premtuar mbështetje të plotë për Kosovën në OKB)