18:04 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Gripi në Kosovë po shënon rënie

Instituti  Kombëtar  i  Shëndetësisë  Publike  gjatë  mbikëqyrjes  permanente  të  sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike në raportin e sotëm përmbledhës ka konstatuar intensitet konstant të rasteve të gripit sezonal.

Nga 01 tetori deri më 20 shkurt  2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 44.705 raste  të  dyshimta  në  grip, 4177  raste me Infeksion Respirator Akut  dhe  84 raste SARI (Sëmundje  e Rënde Respiratore  Akute).

Gjatë  javës  07–  të  2018  janë  raportuar    6199    raste  të  dyshimta  në  grip,  245  raste    me Infeksion Respirator Akut  dhe 10 raste SARI (Sëmundje  e Rënde Respiratore  Akute).

Në laboratoret e Qendrës Kombëtare të gripi, në Institutin Kombëtar prej fillimit të sezonit të gripit,  218 persona kanë  rezultuar  pozitive  në  Influencë. Sipas tipit, 92 raste janë pozitive në Influencën A dhe 126 në Influencën B.

26 raste i takojnë subtipit A(H1)pdm09 dhe 66 raste tjera janë A të  pa subtipizuara.  126  raste  të  konfirmuara  i  takojnë  tipit  B,  48  prej  tyre  janë  subtipi  Yamagata  (“Gripi Japonez”).

Epidemia e gripit sezonal ka shënuar rënie në intensitet  Rekomandimet  e  gjertanishme  të  Institutit  Kombëtar  kanë  rezulturar  të  suksesshme  dhe mbeten  akoma  në  fuqi  dhe  vlejnë  për  tërë  territorin  e  Republikës  së  Kosovës  duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.

MASHT tashmë ka dhënë rekomandimet për të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe  të  mesme  (publike  dhe  private)  se  të  gjithë  fëmijët  dhe  nxënësit  me  shenja  dhe simptoma të gripit (Temperaturë e lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkëqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku e muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të  shëndoshë  dhe  të  qëndrojnë  në  shtëpi  duke  iu  përmbajtur  rekomandimeve  të  mjekut.

Këto rekomandime janë treguar tejet efikase në ndërprerjen e përhapjes së gripit në shkolla.

Prandaj, Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët akoma të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë (sidmos në javën vijuese), të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Të gjithë personat që ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familjar për të parandaluar komplikimet.

Inspektorati shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë po mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore  të  Kosovës  për  raportimin  e  sëmundjeve  ngjitëse  dhe  raportimi  është  i kënaqshëm.

SHSKUK ka ndërmarrë masa në redukimin e numrit të vizitave të familjarve tek personat e  hospitalizuar,  ka  siguruar  mjete  mbrojtëse  për  profesionistët  shëndetësore  dhe  ka dezinfektuar të gjitha hapësirat e institucioneve shëndetësore.

Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në rajon, Evropë dhe botë.

Në Shqipëri gripi  po vazhdon intensitet të lehtë dhe janë identifikuar disa raste të gripit Aussie (A/H3N2). Situatë e njëjtë epidemiologjike është shënuar edhe në shtetet fqinje.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rritur vigjilencën dhe nuk ka vend për  panik  në  popullatë  sepse  të  gjitha  rastet  e  rënda  trajtohen  me  kujdes  në  SHSKUK.

Instituti Kombëtar dhe Institucionet shëndetësore janë të përgatitur për t’u përballur me raste të shtuara të gripit si sëmundje e paparashikueshme dhe për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike qytetarët do të informohen me kohë.

Temat: