09:05 / E Diele, 17 Qershor 2018 / indeksADMonline

Gruaja ekzekuton bashkëshortin e vet në mes të tregut të Milotit

Një krim i rëndë ka ndodhur në një familje nga Rrësheni mëngjesin e sotshëm: një grua 35-vjeçare ka vrarë bashkëshortin e saj rreth orës 7:10 në tregun e Milotit.

Burri Kujtim Donaj 42 vjeç është ekzekutuar me pistoletë nga gruaja e tij, Violeta Donaj në një zonë mjaft të populluar.

Pas ngjarjes, gruaja ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por policia e ka ndjekur dhe e ka arrestuar.

Nuk dihen shkaqet që çuan në ekzekutimin e 42-vjeçarit në një vend publik nga vetë bashkëshortja e tij.

Policia ka mbledhur provat dhe ka kërkuar dëshmitarë.

Njoftimi i Policisë:

Me datë 17.06.2018, rreth orës 07:10 , në tregun e Milotit në Kurbin, shtetasja V.D. 35 vjeçe, banuese në Rrëshen, për motive ende të paqarta, ka vrarë me armë zjarri tip pistoletë, bashkëshortin e saj, shtetasin K.D. 42 vjeç, banues në Rrëshen. Menjëherë pas ngjarjes, shtetasja V.D. ka tentuar të largohet por ndërhyrja në kohë e forcave policore, ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e saj në flagrancë si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit tip pistoletë me të cilën është kryer krimi. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, po vazhdojnë hetimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.