22:54 / E Shtunë, 03 Mars 2018 / indeksADMonline

Gucati: Ata që ia refuzuan dekoratën Presidentit, kanë qenë për një Republikë Jugosllave

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes një reagimi kanë shprehur zhgënjim për shpërndarjen e dekoratave të Presidentit Hashim Thaçi me rastin e Jubilarit të Pavarësisë.

Në një intervistë ekskluzivisht për Indeksonline, kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, tregon se pse kanë reaguar ndaj veprimeve të Thaçit për dekoratat.

Gucati për Indeksonline ka thënë se ai dhe organizata nuk janë kundër dhënies së dekoratave, por kundër asaj që OVL-së nuk i është dhënë një e tillë për mbrojtjen e vlerave të luftës.

“Ne si organizatë e veteranëve sot kemi reaguar ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpërndarjen e dekoratave. Ne nuk jemi kundër asaj që ai i ka dekoruar, mirëpo jemi kundër asaj që bash aty ku duhet me jep dekoratë, nuk ka jep dekoratë.  Është dashtë që organizatës së luftës, ti jep një dekoratë për këtë jubilar të 10 vjetorit të pavarësisë. Pse, asnjë president i këtij vendi, asnjë qeveri, Organizatës së Veteranëve të Luftës nuk i ndanë dekoratë.  Kjo është organizata që mbron interesin e veteranit dhe mbron vlerat e luftës, ne mbrojmë vlerat e luftës. Institucionet në vend që më i mbrojte vlerat e luftës, zero, janë zero për më i mbrojte vlerat e luftës. E kjo ka qenë arsyeja pse kemi reaguar ne”, është shprehur Gucati.

Gucati nuk përmend emra, mirëpo thotë se ata që janë dekoru në kohën e Jugosllavisë, sot ia refuzojnë Presidentit dekoratën.

Ai thotë se pikërisht ata që kanë punuar kundër shtetit të Kosovës janë dekoruar e nuk i kanë pranuar, ndërsa mbrojtësit e shtetit nuk janë dekoruar.

“Nuk po du me cek me emra, por vitin 75-78 atë  cilët janë dekoru në kohën e Shërbimit Jugosllav  sot e refuzojnë dekoratëne shtetit dhe ai sot refuzon dekoratën e presidentit. Kjo na ka shti me reagua neve, ata të cilët nuk ja kanë pranuar dekoratën presidentit, kanë qenë kundër shtetit të Kosovës, dhe kanë qenë në Konfederatën Jugosllave atëherë. Disa, që emra nuk po i përmendi. Kështu që ne jemi indinjuar shumë” ka shtuar Gucati.

Ai ka thënë se Presidenti e din mirë kush janë ata që i kanë refuzuar dekoratën, duke e ripërsëritur atë se ata kanë qenë për një Republikë Jugosllave në Kosovë, atë kohë.

“Kush e ka refuzuar dekoratë, kush ka qenë për një Republikë Jugosllave në Kosovë, në Konfederatën e Jugosllavisë, e din fort mirë presidenti dhe ata që ia kanë refuzua dekoratën. E neve si vlerë të luftës nuk na dha, nuk ka nda një dekoratë për organizatën e veteranëve të luftës, që mbrojmë interesat e luftëtarëve dhe luftës, dëshmorët, martiret e invalidët të luftës” ka përfunduar Gucati.

Presidenti Thaci ka disa javë që po shpërndanë dekorata me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës./Indeksonline/