20:24 / E Enjte, 05 Prill 2018

Guri i varrit me epigrafin: Këtu pushon “Kushtetuta e Kaçanikut” !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Në vend se pllakën përkujtimore për Kushtetutën ta fusin në murin e tempullit të kulturës, apo të bëhet ndonjë zgjidhgje estetike, atë e ngjitën në guri, që i ngjet varrit… Arkitektët e kësaj “vepre të artit” shprehën aversionin, e varrosën aktin e përmendur juridiko – politik ! Po të ngritej nga varri profesori Gazmend Zajmi do të thoshte: O njerëz, ç’bëni kështu, ejani në vete. —————–

Kaçaniku ka Pallatin e Kulturës, me dy amfiteatro, të madhin dhe të voglin. Në këtë të voglin, më 7 shtator 1990 është nxjerrë kushtetuta e parë e Republikës së Kosovës, e njohur si “Kushtetuta e Kaçanikut”. Hartues i kësaj kushtetute ishte profesori i drejtësisë, akademik Gazmend Zajmi, ligjëruesi i Sistemit politik.

Në oborrin e këtij pallati, është vendosur gogoli, që i ngjan gurit të varrit me epigrafin: Këtu pushon “Kushtetuta e Kaçanikut” ! Kalimtarit të rastit i bie në sy ky gur varri. Kur i afrohet lexon pllakën me mbishkrimin: “Në këtë objekt, delegatët e Kuvendit të Kosovës e shpallën, më 7 shtator të vitit 1990, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të njohur në histori si “Kushtetuta e Kaçanikut”. Pllaka u vendos në përvjetorin e 25-të, më 7 shtator 2015.

Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Sytë janë me pa. Arkitektëve të kësaj “vepre të artit” u ka munguar fjala pushon, prehet…, ndonëse kurreshtarët e lexojnë kësisoj. Fjala PREH/ – A (u), – UR, ka kuptimin: Rri ndenjur a shtrirë për të pushuar. Ndërkaq, figurativisht: Rri i varrosur diku. Sinonimi i kësaj fjale është pushon. Këta të Shqipërisë e përdorin fjalën prehet, ndërsa ne, në Kosovë – pushon. Kosova si krahinë socialiste autonome e ka pasur Kushtetutën e 1974-ës.

Mirëpo, “Kushtetuta e Kaçanikut” është dokumenti i parë politiko – juridik i republikës sonë. I keq, i mirë, ky është realiteti i konstitucionalizmit tonë. Këta “të malit”, thënë thjeshtë e varroson këtë kushtetutë. E dini pse ? Kanë aversion ndaj kësaj kushtetute, të cilën e kanë nxjerrë delegatët, komunistët… Historia nis me ta ! Pas luftës, më 2000-tën në Kaçanik, antikomunistët komunistë e bënin propagandën të mos shënohet përvjetori i dhjetë i kësaj kushtetute. Madje, qe përhapur lajmi se në Pallatin e Kulturës është “vendosur” bomba dhe kush hy këtu, hedhet në ajër.

Ky ishte kërcënimi që atëbotë iu bë qytetarëve. Jo më kot Vaclav Haveli s’e ka thënë: “Më të zinj se komunistët janë antikomunistët komunistë”. Këtë thënie e përmend shkodrani Eduard Perjaku në librin e tij “Qyteti i tre M-ve Magjik, Misterioz, i Mallkuar” (2005). Po të ngritej nga varri rektori i UP-së, Gazmend Zajmi do të thoshte:O njerëz, ç’bëni kështu, ejani në vete. Pushtetarët ta thërrasin arsyen. Pllakën e përmendur ta vendosin në murin e tempullit të kulturës, apo të bëjnë ndonjë zgjidhje më të mirë estetike, jo ta lënë gogolin. Me inati s’mbahet shteti !